Kreu i LIBRA-s Ben Blushi, i ftuar në emisionin”5 pyetjet nga Babaramo” ka deklaruar se opozita duhet të marrë pjesë në zgjedhje, pasi sipas tij kjo është në të mirë të vendit. Kjo deklaratë e Blushit vjen, pas përfundimit të afateve për rregjistrimin në zgjedhje.
“Ne vendosëm të marrim pjesë në zgjedhje për të treguar se për këtë gjë jemi krijuar. LIBRA nuk është OJF, por parti politike. Unë shpresoj që Lulzim Basha të hyjë në zgjedhje, se kjo do të ishte në favor të tij, por edhe në favor të vendit. A ka mbyllur PD ciklin? Unë s’dua ta besoj se PD ka mbyllur ciklin, por nuk po reformohet dot, s’ka ide. Do të doja të ishte në garë. Problemi sot nuk është PD-ja, por qeveria. Problemi real është të ndryshojmë qeverinë e Shqipërisë dhe këtë e ndryshojmë duke hyrë të gjithë në zgjedhje. Ikja nga zgjedhjet do t’i jepte kësaj qeverie 100 mandate në Kuvend”, tha Blushi.
Ndër të tjera, Blushi ka ftuar qytetarët që mbështesin opozitën, që në vend të PD-së të votojnë për LIBRA-n.
“Në kushtet kur PD s’do hynte në zgjedhje, unë do i ftoja të gjithë ata që PD nuk iu jep mundësi për të votuar, të votonin LIBRA-n. Ata mijëra demokratë të na votojnë ne. Ne jemi një opozitë reale. Unë nuk u kam bërë asnjë dëm demokratëve, madje në këto 4 vite kam bërë opozitë në Kuvend më shumë se deputetët e tyre, më shumë se kryetari i tyre. Ata 500-600 mijë demokratë, që kanë votuar djathtas, do të mbeten pa votuar”, shton Blushi. (D.D/Shuplaka)
Discussion about this post