Në mbyllje të fjalës së tij në Kuvend, në orët e para të mëngjesit të sotëm, kryeministri Edi Rama ka komentuar dy reformat e rëndësishme që pritet të ndryshohen në vend, atë zgjedhore dhe territoriale.
Duke iu përgjigjur Bashës, i cili tha se do të zbresë në popull që të vendosë për reformat që nuk gjenden rruga me mazhorancën, Rama tha se dialogu mes të dy forcave është i pashmangshëm, nëse duan realisht realizimin e këtyre reformave.
Rama tha se PS është e gatshme që të ulet pa asnjë vonesë për diskutimin e ndryshimeve në reforma, dhe propozoi edhe emra konkretë me të cilët mund të ulet në dialog opozita, Taulant Ballën dhe Damian Gjiknurin, në cilësinë e kryetarit të grupit dhe sekretarit të përgjithshëm.
“E fundit qe do të kisha për opozitën është që dëgjova kreun e PD, që tha se të gjitha ato synime që janë të parealizueshme pa bashkëpunimin me shumicën, do ti ndjekim me popullin. Nuk kam asnjë problem që të zbresin në popull që të flasim për reformën zgjedhore dhe territoriale, por në fund të ditës nëse duan që të kemi një diskutim, dhe realizimin në terrenin konkret të këtyre synimeve duhet të flasin me ne.
Nuk duhet të bëjnë gabimin që bëjnë gjithmonë, që i lënë gjërat në fund, ndërkohë që ne iu thoshim hajde të ulemi për reformën zgjedhore ata nuk uleshin. Ne shpikëm një karrige ekstra se nuk ishin në parlament, ne nuk mund të mohonim që ata ishin opozita e votuar, dhe atë karrige nuk e përdorën, dhe koha iku. Sidoqoftë kjo është zgjedhja e tyre, unë e kam thënë ne nuk kemi asnjë tabu, jemi të gatshëm që të bisedojmë për të gjitha.
Patjetër që për reformën territoriale ne kemi një mendim krejt të kundërt, ne duam që të ketë më pak bashki jo më shumë, ju e mbani mend se i ndjeri Bashkim Fino me grupin e reformës propozuan më pak bashki, dhe më pas me konsensus rritëm numrin e tyre. Kalimi në një numër më të vogël bashkish do të ishte për ne rruga e duhur, ata kanë një qëndrim tjetër, dakord, ne duhet të ulemi dhe të diskutojmë. Ndoshta mund të na bindin ata ne, ndoshta mund ti bindim ne ata, nuk ka problem. Ata thonë shkojmë në popull, shkojmë edhe në popull ska problem.
Ashtu është dhe çështja e reformës zgjedhore, duan ndryshim të sistemit, ajo që është e rëndësishme është se kjo kërkon dialog, partiak dhe parlamentar të të gjitha niveleve. Qoftë kryetari i grupit, qoftë sekretari i përgjithshëm janë në çdo moment të gatshëm, që sido që ta zgjedhi PD, një proces dialogu eksplorativ për temat, menjëherë të vihen në komunikim.
Nëse duan ta bëjnë këtë në rrugë x apo y, për në ska problem. Ideja është që koha ikën shumë shpejt, kështu që ne na duhet të fokusohemi në punën tonë, të fokusohemi në realizimin e programit, në një ndërveprim shumë intesiv mes qeverisë dhe komisioneve, për të pasur shpejtësi. Jemi vijimësisht të hapur për opozitën”, u shpreh Rama në Kuvend.
(E.K/Faxweb.al)