Deputeti i Grupit të Deputetëve të Pavarur, Dardan Molliqaj në emër të kolegëve të tij nga grupi parlamentar kërkon që me mocion të kërkohet të hiqet roamingu ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Molliqaj kërkesën e tij drejtuar Kuvendit e ka publikuar në rrjetin social Facebook.
“Rezolutë për heqjen e ROAMING ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Sot, në emër të grupit tonë parlamentar, dorëzova kërkesën për mocion në lidhje me heqjen e roaming-ut ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë paguajnë çmime shumë të larta për shërbimet telefonike dhe të internetit saherë që ata udhëtojnë në Shqipëri, përkatësisht Kosovë.
Përmes këtij mocioni, ne kërkojmë që këto tarifa të hiqen dhe qytetarët të mund të komunikojnë me çmime sikurse në vendet e tyre. Një gjë e tillë tashmë zbatohet në shtetet e Bashkimit Evropian.Shpresoj që ky mocion do të mbështetet nga të gjithë deputetët dhe se pastaj të dyja qeveritë do të nisin sa më parë procedurat për heqjen e roaming-ut”, shkruan Molliqaj në ‘Facebook’.
Ndërkohë që kryetari i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Ilir Zela, në një postim në ‘Facebook’ thotë se edhe zv. Kryeministrja e Shqipërisë Senida Mesi ka shprehur gadishmërinë për reduktimin e tarifave Roaming me vendeve të rajonit.
Zela ishte i pari që e ngriti këtë kauzë, që në shtator 2017, duke kërkuar që Shqipëria dhe Kosova të komunikojnë pa Roaming, duke reduktuar ndjeshëm tarifat.
Siç duket insistimi nga të dyja palët ka bërë që kjo çështje të hyjë në Planin Strategjik të Veprimit për 2018.
(B.H/Faxweb)