Bashkëkryetari i komisionit për Reformën Zgjedhore Damian Gjiknuri deklaroi sot se ishte i gatshëm të jepte dorëheqjen në rast se PD do ti bashkëngjitej këtij komisioni për t’i hapur rrugë një prej pikave që kërkohet me ngulm nga ndërkombëtarët.
Në lidhje me këtë deklaratë surprizë ka reaguar menjëherë dhe Gazment Bardhi sekretari i Përgjithshëm i PD-së.
I pyetur nëse PD do të rimendonte bashkëpunimin me maxhorancën pas dorëheqjes së Gjiknurit ai u shpreh se ky i fundit së bashku me të gjithë personat që kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar për vjedhjen e votave duhet të shkojë në burg:
“Besoj unë, Damian Gjiknuri dhe gjithë ata që kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar për të shkatërruar zgjedhjet dhe për të vjedhur votat, nuk duhet të jetë me zgjedhje për të dhënë apo jo dorëheqjen nga Komisioni, por duhet të ndiqen penalisht dhe të shkojë në burg për kryerjen e krimeve zgjedhore.
Kjo nuk është kërkesë e opozitës, ky është standard evropian, është një nga kushtet e Bashkimit Europian për hapjen e negociatave.
Të gjithë ata, përfshirë Damian Gjiknurin dhe gjithë pjesën tjetër të anëtarëve të Komisionit, që janë pjesë e dosjeve “184” dhe “339” nuk duhet të jenë në komisionin për reformën zgjedhore, por do të duhet të jenë në burg dhe të proceduar penalisht për të gjitha krimet zgjedhore që kanë kryer“.
Një ditë më parë Kryeministri Rama në një ftesë publike u bëri thirrje partive të opozitës jashtë parlamentit të bashkëpunojnë me mazhorancën për Reformën Zgjedhore, ndërsa Basha i ktheu përgjigje pak orë më vonë pas një mbledhjeje me aleatët duke e quajtur ftesën ‘provokim të rëndë’.
Sipas Bashës nuk mund të ketë Reformë Zgjedhore me kryetar Damian Gjiknurin, i cili u kap në audiopërgjimet e BILD për dosjen 184 ku diskutonte me Ymer Lalën për tërmet në rezultatet e zgjedhjeve të 2016-s në Dibër.
Ndërkohë sot PS ka vijuar me lëshime, ku vetë Gjiknuri ka deklaruar se dorëhiqet nga posti i kryetarit të Komisionit për Reformën Zgjedhore nëse opozita i bashkëngjitet këtij komisioni.