Zëvendëssekretarja e përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska është takuar me përfaqësuesin special të BE për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen. Shekerinska ka shkruar në X, se vazhdimi i bashkëpunimit NATO-BE është çelësi për ruajtjen e stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Radmila Shekerinska mori detyrën si zëvendëssekretare e përgjithshme e NATO-s më 2 dhjetor 2024. Si ish-zëvendëskryeministre dhe ministre e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Shekerinska ka përvojë të gjerë si politikëbërëse dhe ndërtuese e konsensusit.
Kurse, diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen, zyrtarisht mori detyrën në krye të dialogut Kosovë-Serbi më 01 shkurt 2025. Për dallim nga Miroslav Lajçak, Sorensen është i ngarkuar nga Bashkimi Evropian vetëm për dialogun pa çështjet e tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, si dhe fokusi i tij primar do të jetë zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit.