Seanca e tretë dëgjimore të mërkurën më 15 korrik në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK në kuadër të procesit të vetingut të prokurorit të Tiranës, Dritan Gina u arrit të realizohej, megjithëse subjekti paraqiti kërkesa për përjashtimin e kryesueses së trupit gjykues, Etleda Çiftja; për rikryerjen e hetimit administrativ duke e konsideruar aktualin nul; si dhe për përjashtimin e gjithë trupës gjykuese.
Seanca zgjati rreth pesë orë e gjysmë, kur u shfaq tension mes subjektit të rivlerësimit hde avokatit të tij nga njëra anë dhe trupës gjykuese nga ana tjetër. Trupa gjykuese u tërhoq disa herë duke vendosur që kërkesat për përjashtim të kalojnë për t’u shqyrtuar nga një tjetër trupë gjykuese e KPK, ndërsa lidhur me kërkesën për rikryerjen e hetimit administrativ, u vendos që të trajtohet gjatë vendimarrjes përfundimtare.
Megjithëse prokurori Gina dhe avokati i tij Eno Bushi e cilësuan zhvillimin e seancës në mos respektim të procedurave të rregullta ligjore, Komisioni vendosi të vijojë me seancën dëgjimore. Gjithashtu, vëzhguesi ndërkombëtar, Ferdinando Buatier vërtejti se nuk mund të vazhdohej kështu dhe se duhej të vijohej me relatimin.
Seanca vazhdoi me diskutime e tension mes trupit gjykues, subjektit të rivlerësimit dhe avokatit të tij, ku këta të fundit këmbëngulën që seanca të shtyhej – ndërsa kryesuesja Etleda Çiftja u tërhoqi vëmendjen edhe për mënyrën e komunikimit. Gina dhe Bushi u shprehën se po kërkonin vetëm të drejtën për të respektuar procedurat dhe për t’u garantuar një proces i rregullt ligjor.
Kryesuesja Çiftja sqaroi se ky trup gjykues nuk do të marrë vendim përfundimtar derisa të shprehen trupat e tjera gjykuese lidhur me kërkesat e paraqitura nga subjekti dhe i dha fjalën relatores së çështjes, Xhensila Pine që të vazhdonte relatimin.
Në relatimin e Komisionit u evidentuan gjetjet dhe barra e provës për dy kriteret e rivlerësimit për të cilat është mbyllur hetimi kryesisht, pasurinë dhe pastërtinë së figurës. Prokurori Gina i kundështoi gjetjet duke i cilësuar konkluzionet e KPK të pasakta. Subjekti solli në vëmendje vendime të tjera të Komisionit për raste sipas tij të ngjashme; gjetjet e hetimit administrativ për bashkëshorten e tij, ish-prokuroren Rovena Gashi; si dhe një vendim mosfillimi të Prokurorisë së Fierit për një kallëzim të kryer për pasurinë e subjektit që u përdor prej këtij të fundit për t’u mbrojtur në këtë kriter. Gjithashtu, ai u mbrojt për figurën duke përdorur rezultatet e verifikimeve të kryera nga Prokuroria e Përgjithshme lidhur me ankesat ndaj tij.
Dy seanca të mëparshme dëgjimore kanë dështuar të zhvillohen. Në seancën e 3 shtatorit Gina kërkoi shtyrjen e seancës për shkak të mungesës së avokatit të tij për arsye shëndetësore, kërkesë që u pranua nga Komisioni. Më herët më 26 korrik, seanca dëgjimore u shty pasi prokurori Gina kërkoi që të shqyrtohej një kërkesë e dorëzuar prej tij për përjashtimin e anëtareve të trupit gjykues, Xhensila Pine dhe Etleda Çiftja.
Bashkëshortja e Ginës, ish-prokurorja Rovena Gashi u shkarkua nga detyra më 25 korrik 2018 pasi u konstatuan kontradikta mes kontratave noteriale dhe deklarimeve të saj për dy apartamente në pronësi. Vendimi i KPK u la në fuqi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.
Mungesë burimesh e pasaktësi
Për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 105 m2 në vendin e quajtur “Shkëmbi i Kavajës” në Durrës kundrejt çmimit 30 mijë euro në vitin 2011, Gina ka pasqyruar në deklaratën veting si burim krijimi një kredi në shumën 45 mijë euro dhe 35 mijë euro trajtim preferencial.
Relatorja Pine konstatoi se sipas dokumentacionit të administruar për këtë pasuri ka rezultuar se gjatë vitit 2011 janë shlyer të dy këstet 30 mijë dhe 50 mijë euro të përcaktuara në kontratën e shitblerjes me rezervë.
Sipas Pines, O.V., një prej ortakëve të shoqërisë ka deklaruar se i ka zbritur subjektit shumën 35 mijë euro nga çmimi total, për shkak të marrëdhenieve të afërta miqësore. Ajo shtoi se referuar kontratës, rezulton se çmimi është paguar para se të disbursohej kredia.
Komisioni konstaton mospërputhje mes deklarimeve të subjektit dhe dokumentacionit të këtij transaksioni dhe vlerëson se kredia nuk mund të ketë shërbyer për shlyerjen e çmimit të apartamentit.
Në përfundim, KPK i ka kaluar barrën e provës Ginës për deklarim të pasaktë të vlerës dhe kohës së kryerjes së pagesave; mungesë financiare në shumën 1.9 milionë lekë për pagesën e këstit të parë dhe kryerjen e shpenzimeve për atë periudhë, si dhe mungesë për shlyerjen e vlerës së plotë të çmimit të apartamentit në shumën 8.8 milionë lekë.
Avokati Bushi kërkoi që prokuori Gina të vlerësohej për pasurinë si subjekt veçmas nga bashkëshortja e tij. Ai tha se Komisioni ka marë të dhëna nga rezultatet e hetimit administrativ për bashkëshorten e subjektit të rivlerësimit. “Kërkojmë të bazoheni në provat e tij, duke mos u ndikuar nga procesi tjetër”, tha Bushi.
Ai dhe prokurori Gina sollën në vëmendje të Komisionit se Prokuoria e Fierit kishte hetuar pasuritë e tij dhe të bashkëshortes Gashi dhe kishte vendosur mosfillimin e hetimit, pasi nuk ishin konkluduar probleme.
“Në rastin konkret jemi para një gjëje të gjykuar. Deklarimi i kësaj pasurie është i saktë dhe burimet financiare rezultuar të ligjshme dhe të mjaftueshme”, pohoi Bushi.
Prokurori Gina theksoi se ishte nga të vetmit që kishte deklaruar trajtimin preferencial në kohën e duhur dhe se shoqëria ndërtuese e kishte konfirmuar zbritjen e vlerës 35 mijë euro nga çmimi total. Sipas Ginës, në një rast Komisioni e ka pranuar kontratën e nënshkruar pa praninë e noterit.
“Është krijuar tymnajë nga këshilltarë dashakeqas që kanë ndryshuar deklarimet e mia dhe interpretimin”, pohoi Gina dhe theksoi se kredia ishte marrë për shlyerjen e apartamentit që ishte vendosur si garanci pasurore. “Nuk ka asnjë provë par pagesën 35 mijë euro”, pretendoi ai.
Ginës i është kaluar barrë prove edhe për një apartament me sipërfaqe 121 m2 në Tiranë, pasuri për të cilën ai ka deklaruar se i është dhuruar prej vjehrrit.
Pine sqaroi se nga hetimi ka rezultuar pasaktësi në deklarimin e kësaj pasurie. Sipas Komisionit, subjekti ka deklaruar se apartamenti është porositur nga babai i bashkëshortes në vitin 2004 kundrejt vlerës 38 mijë e 800 euro, por nga hetimi administrativ ka rezultuar se kontrata e shit-blerjes është nënshkruar mes shoqërisë ndërtuese dhe bashkëshortëve Gashi e Gina, ku sqarohet se kanë shlyer edhe çmimin e plotë të kësaj pasurie.
Nga analiza finanicare për këtë pasuri, KPK ka konkluduar balancë negative në shumën 3.1 milionë lekë.
Avokati Bushi dhe Gina i kundërshtuan konstatimet e KPK për këtë pasuri. Ata këmbëngulën se në një prej neneve të kontratës së shit-blerjes referohej deklarata noteriale ku vjehrri deklaronte se shtëpinë ia dhuronte të voijës, ish-prokurores Gashi dhe subjektit të rivlërësimit. “Vjehrri ka deklaruar kalimin e të drejtës reale të pronës në emër të vajzës dhe emrin tim. Me ç’të drejtë është konkluduar se e kam paguar unë? Si ma faturoni mua?”, tha Gina dhe shpjegoi se kontratat e energjisë nuk figuronin në emër të tij prej vitit 2004 ashtu si ishte konstatuar, por në emër të shoqërisë ndërtuese.
Mungesë financiare është konkluduar edhe për krijimin blerjen e një automjeti tip Peugeot për çmimin 15 mijë e 100 euro; të një depozite në shumën 10 mijë euro në vitin 2016 nga bashkëshortja Gashi dhe për krijimin e një gjendje cash në shumën 5000 euro.
Lidhur me mungesën financiare për autoveturën, subjekti pretendoi se kjo vinte për shkak të konsiderimit të vlerës 15 mijë euro si shpenzim. “Makina është blerë ne emër të subjektit Rovena Gashi dhe nga hetimi i Komisionit për atë subjekt nuk janë gjetur probleme. Ç’punë kam unë tani që më dalin probleme”, pohoi Gina.
Pine sqaroi se nga analiza financiare e përgjithshme janë konkluduar balanca negative në vitet 2010, 2011, 2012, 2013, 2014 dhe 2015 në vlerë totale rreth 10 milionë lekë.
Gina e cilësoi qesharake analizën financiare të KPK. “Vijhet re se janë bërë nga persona qesharakë, që kanë dalë në rezultate qesharake. Kanë dalë analiza me balanca krejt të ndryshme. Nuk mund të dalin të dhëna të ndryshme për persona e fakte të njëjtë”, theksoi Gina.
Raporti negativ i DSIK për figurën
Në raportin e parë Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka konstatuar përshtatshmërinë e prokurorit Gina për të vazhduar detyrën. Por në këtë konkluzion nuk është përfshirë raporti i një prej institucioneve verifikuese, që kur është disponuar ka sjellë ndryshimin e konkluzionit në papërshtatshmëri.
Pine sqaroi se sipas këtij raporti disponohen informacione për implikim të subjektit të rivlerësimit në veprime korruptive dhe që cënojnë figurën e magjistratit. “Konstatohet si individ i mundshëm për tu vendosur nën presion nga strukturat kriminale”, pohoi Pine.
Ajo vijoi se në raport ngrihen dyshime për favorizim të të proceduarve.
Prokurori Gina dhe përfaqësuesi iu tij ligjor renditën një sërë procedimesh të hetuara prej subjektit të rivlerësimit dhe relatuan në mënyrë të përsëritur qëndrimin e tyre. Megjithëse kryesuesja Çiftja vërejti se denoncimet dhe çështjet ishin pjesë e rivlerësimit profesional, kriter për të cilin nuk ishte përmbyllur hetimi kryesisht, Gina theksoi se ato që po relatonin kanë të bëjnë me figurën.
“Ky Komision duhet të hedhi poshtë konstatimet e DSIK-së”, kërkoi avokati Bushi. Ai u shpreh se konstatimet për një procedim të vitit 2014 ishin një gjë e gjykuar pasi pretendimet ishin verifikuar më parë nga Prokuroria e Përgjithshme dhe se nuk ishte konstatuar ndonjë veprim i subjektit që të kishte favorizuar të pandehurin apo për përfshirje në veprime korruptive. Bushi shtoi se dhe një verifikim për këtë çështje nga ish-Prokuroria për Krime të Rënda ishte mbyllur.
“Informacioni i SHISH është i pavërtetë. Hetimi administrativ dhe ai penal janë mbyllur dhe çështja është arkivuar”, pohoi avokati Bushi.
Lidhur me çështjen tjetër të evidentuar nga KPK, Bushi shpjegoi se subjekti kishte kërkuar masën e sigurisë “arrest në burg” për të proceduarin, masë që ishte pranuar edhe nga gjykata.
Sipas Bushit, Gina kishte kërkuar dënimin e dy të pandehurve për “falsifikim” me nga 12 muaj burgim secilin dhe për një tjetër të akuzuar për “falsifikim” dhe “prodhimin e mjeteve për falsifikim” dënimin me 5 vjet heqje lirie. Sipas avokatit Bushi, gjykata kishte vendosur dënime pak më të lehta.
Bushi solli në vëmendje se dhe një tjetër rast kur Gina kishte kërkuar dënim më të rëndë nga sa kishte vendosur gjykata. “Nuk qëndrojnë informacionet për favorizim. Nga këto fakte provohet se të proceduarit janë hetuar dhe gjykuar në masën e sigurisë ‘arrest në burg’ dhe se janë kërkuar masa dënimi më të rënda nga sa ka vendosur gjykata”, pohoi Bushi.
Ai paraqiti qëndrim edhe lidhur me disa çështje të tjera të denoncuara pranë KPK, ku në disa raste shpjegoi se ishin pushuar për shkak se bëhej fjalë për ngjarje që nuk mund të kualifikoheshin si vepra penale dhe se të dëmtuarit kishin hequr dorë. Sipas tij, këto çështje mund të ndiqeshin në gjykatë nga viktima akuzuese.
Bushi tha se në një rast bëhej fjalë për një goditje me grusht dhe se mjeku ligjor kishte konstatuar dëmtime të parëndësishme. Për një rast dhune në familje të hetuar nga subjekti, Bushi shpjegoi se kishte rezultuar se autori nuk kishte pasur si qëllim të qëllonte mbesën e tij që kishte ndërhyrë për ti ndarë, por të vëllain. Janë veprime nga pakujdesia dhe subjekti ka vendosur mosfillimin pasi figura e veprës penale kërkon fajin në formën e dashjes”, pohoi Bushi.
Në një rast tjetër që ishte vendosur pushimi për një grindje mes dy shokëve, Bushi sqaroi se autori kishte përdorur një biçak që nuk i kishte elementët për kryerjen e një vepre penale me të. “Denoncimi për këtë procedim ku pretendohet se janë marrë një shumë parash është i qëllimshëm dhe qesharak”, pohoi Bushi.
Ai këmbënguli se Gina arrin nivel të besueshëm për figurën, pasi nuk ka asnjë foto apo provë që të vërtetojë ndonjë kontakt të tij me persona të përfshirë në krimin e organizuar.
Sipas Bushit, në rastin e ish-prokurores Gashi, DSIK i referohej Ginës për ndryshimin e raportit te saj, ndërsa në këtë rast i referohet bashkëshortes së subjektit.
Gina e cilësoi dashakeqës raportin e DSIK-së. Ai ritheksoi se bashkëshortja e tij ka disponuar dy certifikata sigurie të nivelit maksimal të sigurisë në vitet 2013 dhe 2017. Sipas tij, në kohën kur DSIK ndryshoi raportin për bashkëshorten, i referohej kontakteve të dyshuara të tij. Gina solli në vëmendje se megjithëse bashkëshortes iu ndryshua raporti për informacione që kishin të bënin me të, deri në 2020-ën ai ishte cilësuar i përshtatshëm. “Kjo vërteton karakterin dashakeqës të DSIK-së dhe të grupit të punës”, pohoi Gina.
Ai i konsideroi vendimarrjet dhe konkluzionet e tij në çështjet e hetuara në përputhje me ligjin. “Si mund të procedohet dikush kur sendi nuk është armë e fohtë? Si mund të procedohet kur dëmtimi është deri në 9 ditë? […]Nuk ka një rast në Shqipëri që të jetë kërkuar dënimi me 5 vjet burg për falsifikim. Gjykata e ka ulur ndjeshëm dënimin dhe kam kryer ankim. Çfarë kam favorizuar?”, pohoi Gina dhe vijoi se sipas statistikave të Prokurorisë së Tiranës, në raste të rralla ishte kërkuar burgim për “falsifikim”.
Komisioni i kërkoi subjektit të paraqesë kërkesat e reja me shkrim dhe e shtyu seancën për më datë 22 shtator, ora 09:00./reporter