Merr fund trajtimi me çekun prej 5 mijë lekësh të bëbeve që porsa vijnë në jetë në dy maternitetet e kryeqytetit, përkatësisht “Mbretëresha Geraldinë” dhe “Koço Gliozheni” duke u zëvendësuar me një shportë me produkte që do të blihen nga bashkia
Por çfarë do të ketë brenda kjo shportë e cial do të quhet ‘Shporta e bebeve”?
Shporta përmban pelena njëpërdorimshme, letra të lagura, krem, vajin biberonin fals e deri te libërthi për kujdesin ndaj fëmijës në vitin e parë të jetës. Të gjitha këto blerje do të bëhen përmes prokurimit publik ndërsa janë përfaqësuesit e bashkisë, ata që do të sigurohen që vlera e shportës të mos e kalojë shumën që jepte dikur bashkia në formën e bonusit cash.
Në vendimin që do të merret të mërkurën e ardhshme nga Këshilli Bashkiak, shkruhet se shporta nuk duhet ta kalojë shumën që përmbante çeku ndërsa nuk tregohen arsyet pse është vendosur të rrëzohet vendimi I vitit 2007 për bonusin e të sapolindurit.
“Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve Sociale propozon që kostoja e parashikuar për një ‘Shportë bebeje’, të përbërë prej produkteve të mësipërme, të mos e kalojë shumën maksimale 5.000 lekë për çdo fëmijë të lindur që regjistrohet”.
Por kush e përfiton këtë shportë?
Siç e përmendëm në hyrje të shkrimit, jo të gjithë banorët e rinj kryeqytetas përfitojnë nga projekti “Shporta e bebes”. Ata që lindin në spitale private apo ata që nuk kanë pasaportizim në Tiranë (së paku njëri prind) nuk marrin shportë.
“Synimi i kësaj shporte është mbështetja në ditët e para të lindjes me produktet e nevojshme dhe të domosdoshme për çdo nënë, e cila ka sjellë në jetë një bebe. Sa më sipër, ‘Shporta e bebes’ i jepet nënës nëse plotëson një nga kriteret e mëposhtme:
- Të dy prindërit janë me vendbanim të përhershëm në Bashkinë Tiranë dhe foshnja ka lindur në maternitetin publik “Mbretëresha Geraldinë” ose “Koço Gliozheni”.
- Një prind është me vendbanim të përhershëm në Bashkinë Tiranë dhe foshnja ka lindur në maternitetin publik “Mbretëresha Geraldinë” ose “Koço Gliozheni”, thuhet në relacionin e projektvendimit të nisur për miratim në Këshill.
Procedurat e përfitimit do të përcaktohen në kontratën e lidhur ndërmjet Bashkisë së Tiranës dhe subjektit që do fitojë tenderin për blerjen e produkteve. Shpërndarja e “Shportës së bebes” do të realizohet pranë njësive administrative, bazuar në numrin e lindjeve të regjistruara nga punonjësit e gjendjes civile pranë institucioneve shëndetësore, ku foshnjat kanë lindur.
Kusht është aplikimi brenda 30 ditëve nga lindja e bebit. Ndërsa bashkia do të kujdeset që shporta të merret jo më larg se dy javë pas marrjes së kërkesës”.