Reshjet e dëborës vijojnë me intensitet në qytetin e Kukësit, duke shkaktuar vështirësi tanimë edhe në Rrugën e Kombit.
E gjendur nën alarm, Bashkia e Kukësit ka thirrur shtabin e emergjencave me qëllim që të bëjnë diçka për të mbajtur nën kontroll situatën.
Bashkia në fjalë u bën apel operatorëve të kontraktuar për mirëmbajtjen, që të ndërhyjnë me mjete e makineri në të gjitha akset rrugore, për të shmangur çdo rrezik të mundshëm.
Më parë raportohej se qarkullimi rrugor në aksin Kukës-Kalimash është vështirësuar së tepërmi për shkak të reshjeve të dendura të dëborës.
Trashësia e dëborës në disa zona ka arritur deri në 10 centimetra dhe në terren po punojnë 8 borëpastruese me qëllim që të normalizohet qarkullimi rrugor.
Mësohet se vetëm në qytetin e Kukësit, trashësia e dëborës ka arritur deri në 5 centimetra. Ndërkohë 3 borëpastruese po punojnë për të lehtësuar qarkullimin. (D.D/Shuplaka)
Discussion about this post