Bashkia e Tiranës i është përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike për ndërtimin e shkollës 9-vjecares në Pezë Helmës që u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit.
PD tha se Rama dhe Veliaj gënjyen dhe nuk e kanë ndërtuar shkollën, ndërsa 300 nxënësit do të bënin mësim me 4 turne pasdite në shkollën e Vaqarrit. Por, Bashkia bën me dije se shkolla është pjesë e programit “Eu4Schools” me donacion nga BE që do të rikonstrukohet plotësisht. Nxënësit e kësaj shkolle do të zhvillojnë mësimin me një turn në shkollën private “Vëllezërit Kajtazi”, vendim që i është komunikuar prindërve ditën e djeshme.
“Me sa duket, Lulzim Basha dhe Partia Demokratike kanë zgjedhur rrugën e shpifjes dhe mashtrimit, si alternativën e vetme që mund t’ju ofrojë qytetarëve të Tiranës.
Është për të ardhur keq që, edhe sot, ashtu si pak ditë më parë, Lulzim Basha dhe spikeret e tij, gënjyen publikisht për rastin e shkollës 9-vjeçare në Pezë Helmës, e cila u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit.
Bashkia e Tiranës sqaron se shkolla 9-vjeçare në Pezë Helmës është pjesë e programit “EU4Schools”, me donacion nga Bashkimi Europian, dhe rikonstruksioni i plotë i saj po menaxhohet nëpërmjet UNDP.
Në vijim, Bashkia e Tiranës ka qenë vazhdimisht në kontakt me përfaqësinë e prindërve të shkollës dhe ditën e djeshme Administratori i Njësisë Administrative Pezë ka zhvilluar një takim me një përfaqësi të prindërve, të cilët kanë dakordësuar që të gjithë fëmijët ta kryejnë mësimin në mjediset e shkollës private “Vëllezërit Kajtazi” vetëm me një turn.
Ndërkaq, Bashkia e Tiranës ka marrë të gjitha masat që shkolla “Vëllezërit Kajtazi”, ku do të zhvillojnë mësimin nxënësit e shkollës së Pezë Helmësit, të pajiset me të gjithë bazën e nevojshme materiale për një mësim normal, duke filluar nga dita e hënë.
Pak ditë më parë, Partia Demokratike dhe spikeret e saj u munduan të mashtronin opinionin, duke sjellë në vëmendje rastin e një qytetari të prekur nga tërmeti, i cili përkundrejt asaj që thoshte PD, ishte trajtuar me bonus qeraje dhe i kishte tërhequr të gjitha paratë që i takonin.
Sot ishte hera e disatë që PD-ja dështoi të gjejë një rast që nuk është mbështetur nga Qeveria e nga Bashkia e Tiranës në fatkeqësinë e tërmetit. Partia Demokratike nuk ka asnjë shans të vjelë vota me mashtrime e gënjeshtra, ndaj do bënte mirë të ndalojë menjëherë mashtrimet publike, të mos përdorë dhe të mos bëjë fushatë me fatkeqësinë e tërmetit të nëntorit 2019.
Bashkia e Tiranës është duke punuar me intensitet për rikonstruksionin dhe rindërtimin e shkollave që u dëmtuan nga tërmeti. Shkolla e Lalmit, shkolla “1 Qershori”, shkolla “Jeronim de Rada”, e shumë të tjera, do të hapin dyert në kohë rekord për nxënësit”, thuhet në reagimin e Bashkisë Tiranë.
Ky reagim vjen pas shkrimit publik që bëri zëdhënësja e PD, Ina Zhupa në një postim në Facebook: “300 nxënës dhe rreth 60 parashkollorë në fshatin Pezë Helmës rrezikojnë vitin shkollor. Shkolla e prishur nga tërmeti nuk është bërë gati për vitin e ri arsimor dhe ata duhet të shkojnë me 4 turne pasdite në shkollën e Vaqarrit. Edi Rama dhe Erjon Veliaj gënjyen, shkolla nuk u rindërtua në shtator siç kishin premtuar”.