Një natë më parë, prindërit e gjyqtares së vrarë Fildez Hafizi, kërkuan ndihmë nga shteti për të mbajtur fëmijët që e bija e tyre la pas, pasi ata ishin të dy pensionistë.
Një ditë pas thirrjes së tyre për ndihmë, Bashkia e Tiranës është institucioni i parë që merr një iniciativë për t’i ardhur në ndihmë dy fëmijëve të Fildez Hafizit.
Një banesë ose pagesa e qirasë, bursa apo edhe transporti publik falas, janë mundësitë që bashkia po shqyrton për momentin, për t’u ardhur në ndihmë dy fëmijëve.
Sipas televizionit Ora News, bashkia po shqyrton mundësinë për të siguruar një banesë, madje edhe ndihmë me mobilimin e shtëpisë.
Sakaq, bashkia ka menduar që për fëmijët e mbetur jetimë do të sigurojë bursë për të vazhduar studimet dhe mundësi transporti falas.
Skuadra e Shërbimit Social, në bashki ka nisur nga puna dhe ka vizituar prindërit e Hafizit, për të shqyrtuar këto mundësi.
Kujtojmë se një natë më parë, prindërit e moshuar treguan se ata ishin në rrezik të mbeteshin në rrugë, pasi duhej të paguanin për qiranë e banesës, paratë për të cilën i siguronte bija e tyre. (D.D/Shuplaka)