Të rinjtë që zotërojnë kartën e studentit do të përfitojnë shërbime mjekësore falas ose me çmime të reduktuara edhe në spitalet private. Pas marrëveshjes me një sërë institucionesh publike apo kompani private, nismës së Bashkisë së Tiranës për kartën e studentit i është bashkuar edhe Spitali Amerikan, i cili u vjen në ndihmë studentëve.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeu, nënshkruan sot marrëveshjen ku të gjitha shërbimet e urgjencës për studentët do të jenë falas, ndërsa për shërbimet e tjera me çmime të reduktuara.
“Më mirë se të jesh student këtë vit nuk ka qenë ndonjëherë në Tiranë. Kartën studentore e kanë marrë mbi 21 mijë studentë, pra më shumë sesa 1/3. Tani që janë rikthyer për vitin e ri akademik po e marrim çdo ditë dhjetëra të tjerë. Është një lajm fantastik sesi jo vetëm shërbimet qeveritare, shërbimet publike, shërbimet bashkiake, shërbimet artistike dhe kulturore, por edhe shumë shërbime private i janë bashkuar Kartës së Studentit. Kjo do të thotë se në një plastikë të vogël fshihet mundësia për të përfituar ulje dhe akses në një pafundësi shërbimesh”, tha Veliaj.
Kjo marrëveshje synon edhe krijimin e një kulture të re tek të rinjtë që të përkujdesen për shëndetin dhe të kryejnë kontrollet mjekësore. Veliaj nënvizoi se përmes kartës së studentit, të rinjtë do të mund të marrin një gamë të gjerë të shërbimeve falas ose me çmime tepër të ulëta.
“Ajo që vlerësoj sot në marrëveshjen që firmosëm me Spitalin Amerikan është se po mundohemi që në këtë moshë të hedhim bazat e kulturës së shëndetit. Sot kemi një lajm shumë të mirë: të gjitha shërbimet e urgjencës janë falas. Kur dikush pëson një aksident, apo ka një problematikë dhe kërkon ndihmë spitalore të menjëhershme, Spitali Amerikan për studentët me Kartën e Studentit do ta ofrojë falas. Ndërkohë, për të gjithë studentët që do të marrin shërbime, siç mund të jenë analizat apo një diagnostifikim, apo mund të ketë nevojë të shtrohen në spital, spitali do të ketë një gamë nga 20-30% ulje”, tha Veliaj.
Aktualisht numri i shërbimeve që ofrohen nga privatët falas ose me çmime të reduktuara ka tejkaluar ato publike, duke filluar që nga libraritë, fushat sportive, kinematë, dyqanet etj. “Lajmi i mirë është se në fakt kemi dyfish më shumë shërbime private sesa publike, që i janë bashkuar kartës, duke filluar nga bankat tek dyqanet, supermarketet, restorantet, ata që shesin elektro-shtëpiake etj”, theksoi ai.
Drejtori i Përgjithshëm i Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeu vlerësoi nismën e ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës, e cila ju vjen në ndihmë direkte të rinjve gjatë periudhës së tyre studentore. “Është një nismë shumë e veçantë e ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës, e cila ka qenë e munguar ndër vite për ta bërë studentin pjesë të rëndësishme të jetës tonë, pasi studentët janë e ardhmja e këtij vendi. Për këtë arsye, Spitali Amerikan mori angazhimin të jetë pjesë e kësaj dhe të kontribuojë me shërbime falas në sektorin e urgjencës, po ashtu me një ulje të rëndësishme në shërbimet diagnostike, që do të shkojnë në 30% për të gjithë këta, qofshin në universitetet publike dhe private. Një ulje 30% të diagnostikës dhe 20% në shërbimet e tjera spitalore”, deklaroi Allajbeu.
Ai tha se Spitali Amerikan është një ndër kompanitë që ka punësim në nivelin më të lartë në vend, rreth 3 mijë, ndërkohë që vijon mbështetje edhe për punësimin e mjekëve dhe infermierëve të rinj si dhe bursa për më të mirët.
Në qytetin e Tiranës, nëpërmjet kartës së studentit përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara 21.887 studentë. Ndërkaq, prej 14 tetorit grupet e punës janë në çdo fakultet për të pajisur me këtë kartë rreth 60.000 mijë studentë.