Reshjet e shiut me intensitet të lartë kanë përmbytur rrugët e qytetit të Librazhdit ditën e djeshme duke përmbytur rrugë, banesa dhe biznese.
Pas reshjeve intensive ditën e djeshme si dhe situatës kaotike të krijuar në qytet Bashkia e Librazhdit ka reaguar sot në orët e paradites në facebook me anën e një deklarate.
Sipas saj, reshjet e cilesuara si ‘apokaliptike’ krijuan një situatë të veshtirë në qytet, por menaxhimi në kohë i situatës nga ana e punonjësve vendorë ka rikthyer normalitetin ditën e sotme.
Në deklaratë Bashkia Librazhd nuk lë pa thumbuar dhe ‘ata’ sipas të cilës u gëzuan nga situata e vështirë dhe e pazakontë duke i cilësuar si pengues te zhvillimit dhe transformimit që Librazhdi ka pësuar së fundmi.
Në deklaratë cilësohet: “Në një intensitet të paparë reshjesh dhe për dy orë pa ndërprerje qyteti Librazhdit u vu dje ne vështirësi sa i takon ujit dhe mbetjeve inerte që arritën të mbulonin disa rrugë e trotuare”.
Në fakt sipas raportimeve nga korrespondentja e Fax News në këtë qytet Ediola Terziu gjatë reshjeve të djeshme për shkak të bllokimit të kanalizimeve u përmbytën banesat e 12 familjeve, disa biznese ndërsa për disa orë qyteti ndodhej nën pushtetin e ujit. Fakte të cilat as nuk janë përmendur në deklaratën zyrtare të Bashkisë Librazhd.
Gjithashtu institucioni përgjegjës për menaxhimin e qytetit harroi dhe faktin që disa prej familjeve të prekura deri në orët e vona të natës ishin jashtë apo të strehuar tek të afërmit pa rroba trupi për shkak të largimit nga banesat e përmbytura krejtësisht, ndihmë e cila u erdhi vetëm pas sensibilizimit të bërë në Fax News TV.
Gjithashtu në pamjet e siguruara dje nga Fax News dhe Faxweb shumë automjete mbetën të bllokuara në rrugë, ndër to dhe një autoambulancë e qytetit e cila arriti të nxirrej pas ndërhyrjes së disa qytetarëve.
Por asnjë nga dëmet që pësoi qyteti dhe familjet e saj nuk u pasqyruan në reagimin e Bashkisë Librazhd nga e cila në fakt përpos kësaj, pritej të fliste dhe për zgjidhjen që presin bizneset dhe 12 familje të cilat humbën pothuaj gjithçka apo dhe planin se si Librazhdi nuk do te lejohej më t’u dorëzohej tekave të natyrës.
Deklarata e plotë e Bashkisë Librazhd:
Në njê intensitet të pa parë rreshjesh dhe për dy orë pa ndërprerje qyteti Librazhdit u vu dje ne veshtiresi sa i takon ujit dhe mbetjeve inerte që arritën të mbulonin disa rrugë e trotuare.
Punimet që po bëhen në rrjetin e ujesjelles-kanalizime e rëndoi dhe më shumë situatën si pasoje materialeve të ngurta që u grumbulluan ne disa vende për shkak të rrëkeve te krijuara.
Nën intensitetin e reshjeve të gjithë punonjësit e Bashkisë ishin në terren,ndermarrja e punëve publike dhe punonjesit e zjarrfikses punuan pa ndërprerje dhe stabilizuan situaten në një kohë rekord.
Ndërsa ne punonim për të stabilizuar situatën një pjesë e vogël(sa pak janë) u ekzaltua aq shumë me ato pamje apokaliktike dhe pothuajse po “duartrokiste” nga gëzimi për këtë që po ndodhte.
Dhe nuk kanë faj.
Gjatë pesë viteve ishte hera e parë që e panë qytetin ashtu si e deshën/dëshirojnë nën ujë,të pisët e me baltë,prandaj u lumturuan !
Brenda pak orësh situata u normalizua dhe qyteti sot është sërisht i bukur ashtu siç e duan pjesa dërrmuese e banorë që na kanë mbështetur e inkurajuar për këtë trasformim.
E prandaj ne jemi KRENARË për gjithë investimet që kemi bërë në qytet të cilat janë para syrit të banorëve dhe asnjë gojë shthurur nuk i zhbën dot.