Bashkia Gramsh ka lajmëruar se ka nisur shëmbja e Hec-it në Kanionin e Holtës.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë kryebashkiaku i Gramshit Klodian Tace në një njoftim zyrtar në faqen FB ku shprehet se ka nisur shembja e digës së këtij HEC-i në Kanionin e Holtës.
“Të dashur qytetarët e mi, me kënaqësi dua t’ju njoftoj se është marrë vendimi për prishjen e digës së betonit pranë Kanionit të Holtës. Edhe njëher doja të falënderoja të gjithë ata që reaguan dhe mbështetën, se bashku me mua, interesin e qytetarëve të Gramshit. Iku koha kur Bashkia e Gramshit përbuzej dhe pasuritë e shumta natyrore përdoreshin për përfitime personale të një grupi të caktuar personash.
Bashkia Gramsh nën drejtimin tim nuk do lejoj asnjë investim, sado strategjik të jetë nëse cënon pasuritë natyrore të zonës. Janë pasuri që na i ka falur zoti dhe nuk duhet të keqpërdoren“, shkruan ai në postimin së cilës i ka bashkëngjitur dhe një video nga momenti i shembjes së digës.
Por ndërsa ky lajm mund të gëzojë më së shumti banorët e zonës të cilët preken më së tepërmi nga ndërtimi një HEC-i në zonë, PD dega Gramsh ka deklaruar se vendorët po gënjejnë dhe se puna po vijon intensivisht në këtë zonë.
Kodhel Cala, kryetar i PD-së në Gramsh ka denoncuar mashtrimet e qeverisë me ndërprerjen e punimeve në kanionin e Holtës.