Kandidati për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit Bashkim Fino nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’ thotë se është i tronditur pasi ka zbuluar në mënyrë zyrtare se pas 8 Shoqatave Rajonale që nuk ishin të regjistruara në gjykatë, të paregjistruara figurojnë edhe 4 të tjera.
Fino thotë se ky skandal është i paprecedentë, duke hedhur akuza ndaj FSHF-së që ka lejuar diçka të tillë. Gara do të zhvillohet më 7 shkurt.
Postimi i plotë:
Pas 8 Shoqatave Rajonale, që u faktuan ligjërisht se nuk janë të regjistruara në Gjykatë, sot jam tronditur kur kam mësuar në mënyrë zyrtare që nuk janë të regjistruara as 4 Shoqatat e tjera.
Nëpërmjet vërtetimit nr. 156/1 Prot., i marrë nga Gjykata e Tiranës rezulton se nuk janë të regjistruara as Shoqata e Trajnerëve, Shoqata e Mjekëve Sportivë, Shoqata e Arbitrave të Futbollit dhe Shoqata e Futsallit.
Ky është një skandal i paprecedentë i një Federate, e cila për vite me radhë ka mbyllur sytë para këtyre “ndërtimeve pa leje”, që i kanë zënë frymën futbollit shqiptar me ilegalitetin e tyre.
Bashkim Fino
(B.H/Faxweb)