Sociologu Fadil Maloku deklaroi në studion e emisionit “Natë me Xhaxhiun” në Fax News deklaroi se globalizmi është frenuar me ardhjen e Donald Trumpit në krye të qeverisë Amerikane.
Sipas tij Trump e ka izoluar globalzmin duke shpallur doktrinën se Amerika është e para dhe duhet të bëhet sërish madhështore. Në këtë kontekst Maloku argumentoi se kjo është ndjerë edhe në shtetet e tjera.
Duke folur për Samitin e Berlinit që u zhvillua ditën e djeshme me pjesmarrjen e liderve të Ballkanit Perëndimor me ftesë të Engea Merkelit dhe Emmanuel Macron, ai tha se BE ka humbur shumë kohë duke menduar se zgjidhja mund të vijë përmes ketyre aktorëve. Ai tha gjithashtu se serbët kanë përdorur teknikën diplomatike dhe kështu sipas tij, Kosova është bllokuar dhe nuk është bërë dot pjesë e Interpolit.
“Këto dy dekada ata kanë humbur kohë duke menduar se kjo krizë ballkanike mund të zgjidhet përmes kësaj klase politike që figuron në rajon, por unë e shoh shumë të vështirë pa ardhjen e një fryme të re. Shoh që këtë krizë mund ta zgjidh një gjeneratë e re politike por në anën tjetër se Serbia po luan lojë të dyfishtë nga njëra anë me Rusinë, nga ana tjetër me Turqinë dhe ndërkohë nuk i thotë jo Amerikës. Por kjo dëshmon se diplomacia serbe është një hap përpara asaj shqiptare. Serbët kanë përdorur teknikën diplomatike dhe kështu sipas tij Kosova është bllokuar dhe nuk është bërë dot pjesë e Interpolit”, tha Maloku.
Socilogu theksoi se ndryshimi dhe marrëveshja mund të vijë vetëm përmes bashkëpunimit dhe dakortësisë të të gjitha vendeve të rajonit, pasi sipas tij të gjitha kanë histori të hapura me njëra tjetrën përfshirë sipas tij edhe Kroacinë, Bosnje Hercegovinën dhe Slloveninë.
Maloku argumentoi se edhe në Kosovë të rinjtë po ikin dhe që ka një degradim në arsimimin e tyre.
Duke folur për bashkimin kombëtar, Maloku tha se është për diçka të tillë por kjo sipas tij nuk mund të ndodh mekanikisht. “Ideja e bashkimit duhet të jetë një proces dhe diçka e përpunuar. Pa një integrim kulturor dhe sidomos ekonimok nuk mund të ndodh, pa këmbime tregtare dhe kulturore që për mendimin tim nuk i kemi, nuk mund të arrihet diçka e tillë. Fajtor kryesor është politika nga të dyja anët e kufirit, ata bëjnë takime me njefar folklori dhe për interesa politike, por nuk shohim diçka konkrete.
Shoh që ka një mungesë serioze dhe nuk mund të them se është e qëllimshme por ndoshta shkaku kryesor është injoranca. Nuk shoh njerëz që i duan vendet e tyre në Kosovë dhe Shqipëri që të bëjnë sakrifica në emër të tyre. Këtu hyjnë në politikë për ta shfrytëzuar politikën dhe më pas bëhen biznesmen, janë të zhveshur prej idealeve për të siguruar një mirëqënie dhe për të lënë një gjurmë për brezat”.
Duke folur për taksën që ka vendosur qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe, Maloku tha se taksa ekonomikisht nuk e ka dëmtuar por politikisht i ka dhënë efektet e veta. “Serbëve ju dhemb, çdo ditë presidenti serb e thotë se duhet të hiqet taksa. Por unë mendoj se taksa duhet hequr sepse e ka kryer efektin e vet dhe sot i shërben Serbisë për të bërë rolin e viktimës, duke hequr taksën e nxjerr atë zbuluar, shto këtu arsyen se njerëzit dhe bizneset janë mësuar me mungesën e mallrave dhe shërbimeve serbe dhe mund të vijojnë të marrin ato mallra dhe shërbime që kanë marrë deri më tani”.
(F.GJ/FAXWEB.AL)