Nga Armand Kullau
Shtatë bashki paguajnë vetveten për menaxhimin dhe përpunimin e mbetjeve në inceneratorin e Elbasanit, por përpunimi vijon të kryhet me… shkrepse. Sipas të dhënave të publikuara në “Open Data”, rezulton se shtatë bashkitë e këtij qarku, bashkitë e Prrenjasit, Peqinit, Cërrikut, Gramshit, Librazhdit, Belshit dhe Elbasanit, i kanë paguar mbi 1 milion euro shoqërisë publike “ECO-ELB” për menaxhimin e mbetjeve, edhe pse inceneratori rezulton se ka funksionuar dhe ka prodhuar energji vetëm në Gusht të vitit 2022.
“Fax News” ka ndjekur procedurat e publikuara nga këto bashki, si dhe pranë inceneratorit të Elbasanit, ku përmes pamjeve, duket qartë se mbetjet nuk përpunohen në incenerator, e as nuk prodhohet energji, por thjesht digjen.
Por, çfarë ka ndodhur me këto mbetje?
Në mars të vitit të kaluar, shoqëria “ECO-ELB” firmosi kontratën e qirasë me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara për transferimin e impiantit të incenerimit dhe prodhimit të energjisë elektrike. Shoqëria “ECO-ELB” është themeluar në 16 dhjetor 2021 me investim nga bashkitë e qarkut Elbasan, ku Bashkia Elbasan zotëron 52% të aksioneve dhe Bashkitë Gramsh, Librazhd, Belsh, Cërrik, Prrenjas dhe Peqin kanë nga 8% të aksioneve.
“Fax News” ishte në terren për të marrë pamje filmike nga venddepozitimi i inceneratorit. Sipas ekspertit të mjedisit, Rodion Gjoka, nga ajo që dukej edhe nga filmimet, por edhe nga rezultatet që jep vetë shoqëria “ECO-ELB”, rezulton se mbetjet nuk po menaxhohen apo përpunohen.
“Kjo situatë e shfaqur në pamjet që keni xhiruar ju, është tregues se mbetjet nuk menaxhohen e akoma më pak trajtohen”, tha Gjoka. Sipas tij, në të gjitha rastet, menaxhimi i mbetjeve kërkon që të aplikohet zinxhiri i proceseve, që janë minimizimi i mbetjeve, më pas ndarja e rrymave të caktuara që mund të shkojnë për riciklim dhe për ripërdorim.
“Në këtë kontekst, në momentin që ti këto hapa i anashkalon, dhe të gjithë sasinë e mbetjeve e çon për incenerim, atëherë ke shkelur parimin themeltar për menaxhimin e mbetjeve”, tha eksperti i mjedisit, Gjoka.
Mosfunksionimi i këtij zinxhiri përpunimi verifikohet edhe nga tenderi i hapur nga shoqëria “ECO-ELB” në 31 mars, ku në Marrëveshjen Kuadër, me fond limit 345 mijë euro, kërkohet shërbimi i makinerive të rënda të cilat deri më sot kompania publike deklaron se nuk i zotëron, edhe pse janë pajisje të domodoshme që t’i shërbejnë inceneratorit dhe landfillit për këtë proces.
Një çështje tjetër mbetet edhe fakti se, sipas ekspertit të mjedisit, bashkitë mezi arrijnë të mbulojnë kostot e tenderimit sepse shërbimi në disa bashki tenderohet dhe thuajse në gjysmën e rasteve e subvencionojnë në formën e taksave.
“Barrën do ta mbajë pushteti lokal dhe normalisht që pushteti lokal është i inklinuar ta përkthejë këtë barrë ekonomike në tarifë, e cila bie mbi qytetarin”, tha eksperti Gjoka.
A ka prodhuar energji inceneratori i Elbasanit?
Përveç çështjes së menaxhimit dhe përpunimit të mbetjeve, një anë e paqartë e këtij investimi është edhe çështja e prodhimit dhe shitjes së energjisë, që është një nga pikat e kontratës kur kjo shoqëri u ngrit. Sipas dokumentacionit, në prill të vitit të kaluar, Enti Rregullator i Energjisë i akordoi licencën për prodhimin e energjisë elektrike kompanisë “ECO-ELB”. Por, sipas të dhënave nga administratori i kësaj shoqërie, Leli Kraja, inceneratori kaloi në remont për shkak të defekteve teknike.
Ndërkaq, disa javë më parë, kryetari i bashkisë Elbasan, Gledjan Llatja publikoi në rrjetet sociale video nga inceneratori duke deklaruar se ka rifilluar nga puna. Në një deklaratë për “Fax News” administratori i “ECO-ELB”, Leli Kaja, konfirmoi deklaratat e kryebashkiakut të Elbasanit duke thënë se inceneratori ka rifilluar nga puna në fillim të muajit prill.
“Pasi ka përfunduar remonti, është bërë ndezja dhe prej disa ditësh impianti i përpunimit të mbetjeve ka filluar operimin normalisht. Aktualisht është në gjendje pune dhe vazhdon me incenerimin e mbetjeve”, tha administratori Kaja në 7 prill.
Një fakt i mosprodhimit të energjisë gjatë kohës që rezulton se është paguar për djegien e mbetjeve në incenerator është edhe raporti i ERE-s për vitin 2022, që tregon se ky incenerator ka prodhuar energji vetëm në gusht të vitit 2022. Pyetja që bëjnë ekspertët e ekonomisë dhe inxhinierët e fushës për “Fax News” është se, si ka mundësi që të jenë djegur mbetjet e muajve shtator, tetor, nëntor e dhjetor të vitit të shkuar në këtë incenerator në muajin gusht të vitit të shkuar?!!!
Sipas inxhinierit elektrik, Azmer Duleviç, inceneratori e ka të pamundur që të prodhojë këtë sasi energjie elektrike vetëm në një muaj.
“Duke u bazuar në të dhënat zyrtare që kemi nga ERE, për Inceneratorin e Elbasanit janë prodhuar vetëm 6792 MWh gjatë muajit gusht 2022. Kapaciteti për plehrat që trajton në ditë inceneratori është 120 ton mbetje urbane të 7 bashkive të qarkut nga të cilat prodhohet 60 MWh”, tha inxhinieri Duleviç.
Ai shtoi se, për prodhimin e sasisë së deklaruar janë dashur rreth 13 318 tonë mbetje ose sipas llogarive që ne kemi kryer është 31% e të gjithë sasisë që duhet të trajtonte në një vit (365 ditë) inceneratori.
A ka licensë për energjinë inceneratori i Elbasanit?
Drejtuesi i shoqërisë publike thotë se puna në incenerator ka rinisur. Por ekspertët thonë se kjo rinisje mund të sjellë një tjetër shkelje në këtë incenerator, pasi në faqen zyrtare të ERE-s është publikuar njoftimi se licenca për prodhimin e energjisë elektrike të kompanisë “ECO-ELB” ka përfunduar në 27 mars 2023 dhe aktualisht shoqëria është pa licencë.
Në kontratën koncesionare të inceneratorit të Elbasanit shkruhet se duhet të prodhohet energjia elektrike nga incenerimi (djegia) për t’iu shitur KESH dhe palëve të tjera për përfitim dhe duhet lidhja e pikave të shpërndarjes nga Operatori i Sistemit të Transmetimit.
Lajmin se ky incenerator do të nxjerrë fondet e veta nga të ardhurat nëpërmjet prodhimit dhe shitjes së energjisë elektrike e dha vetë kryeministri Edi Rama.
“Impianti ka prodhuar energji, është në remont dhe do të fillojë prodhimin e energjisë. Me prodhimin e energjisë do të kompensojë lehtësisht një pjesë të rëndësishme të shpenzimeve të bashkisë për mjedisin”, deklaroi kryeministri Edi Rama nga inceneratori i Elbasanit gjatë qëndrimit atje Tetorin e shkuar.
Por OST, deklaroi për “Fax News” se ky institucion dhe shoqëria “ECO-ELB” nuk kanë asnjë marrëveshje për këtë çështje.
“Subjekti i cituar në shkresën e përcjellë pranë OST, nuk është i lidhur në rrjetin e transmetimit, nuk ka pikë matje dhe as marrëveshje lidhje me OST”, thuhet në interesimin e “Fax News” pranë këtij institucioni.
Ndërkaq, mungesën e një licence për prodhim energjie nga ky incinerator e ka konfirmuar edhe Enti Rregullator i Energjisë.
Në një përgjigje të interesimit të “Fax News” për këtë çështje, Sekretari i Përgjithshëm i ERE-s, Elton Rredha,konfirmoi faktin se aktualisht shoqëria publike është pa licencë për prodhimin e energjisë elektrike
“Ju informojmë se me e-mailin e datës 14.04.2023, nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, është bërë me dije se ky subjekt rezulton se nuk ka prodhim te energjise elektrike për vitin 2023”, është shprehur Sekretari i Përgjithshëm në përgjigjen e tij, duke konfirmuar se inceneratori nuk ka prodhuar energji elektrike deri në mes të prillit të këtij viti.
A kemi dëme të tjera nga mosfunksionimi i inceneratorit?
Pasi konfirmimit se inceneratori i Elbasanit nuk ka prodhuar dhe shitur energji elektrike për pjesën më të madhe të vitit 2022, si dhe nuk ka prodhuar deri në mes të prill 2023, ka reaguar edhe eksperti i ekonomisë, Pano Soko. Ai tha se, se në rastin kur inceneratori nuk prodhon energji elektrike, dëmi i shkaktuar financiarisht është fitimi i munguar duke përkeqësuar situatën financiare të inceneratorit.
“Kostoja e vërtetë është fakti që është paguar për tu trajtuar mbetjet, por nuk janë trajtuar. Ky është dëmi që u është bërë bashkive dhe kjo duhet të matet për të nxjerrë sasitë e mbetjeve dhe kostot e tyre”, deklaroi eksperti i ekonomisë.
Sipas Sokos, duhet të gjenden përgjegjësit përsa kohë që janë paguar lekët dhe nuk është bërë trajtimi i mbetjeve.
“Këtu kemi një mospërmbushje të detyrimit, qoftë kontraktual apo qoftë edhe detyrimit organik që ka njësia. Prandaj duhet të vendoset Prokuroria dhe të merret me çështjen e inceneratorit”, tha eksperti Soko për “Fax News”.
Dëmi për banorët dhe ambientin
Ndërkaq, nga vëzhgimet e “Fax News” në terren, rezulton se, banorët e Elbasanit po përballen me shkarkimet e paligjshme jashtë inceneratorit në fshatin Bradashesh dhe Bujqs, në të dyja anët e lumit Shkumbin.
Eksperti mjedisor, Rodion Gjoka, tha se shkak është mungesa e monitorimit në terren nga inspektimi mjedisor.
“Për sa kohë në terren nuk ka një inspektim ligjor nga autoritetet kombëtare të mjedisit, atëhere bashkitë dhe operatorët privatë janë të inklinuar të gjejnë një zgjidhje alternative dhe gjenden përballë faktit që janë të lirë të depozitojnë sipas mundësisë ku e gjejnë ata të përshtatshme”, tha eksperti Gjoka duke vendosur theksin tek hapësirat ligjore.
“Fax News” kërkoi një reagim edhe nga kryetari i Bashkisë Elbasan, e njëkohësisht kandidat për këtë bashki më 14 Maj, Gledjan Llatja, për masat që ka marrë institucioni ndaj subjekteve të paidentifikuara që kanë shkarkuar inertet. Por kërkesave të vazhdueshme të “Fax News” nuk iu është dhënë përgjigje. As administratori i “ECO-ELB”, Leli Kaja, nuk ka pranuar t’i përgjigjet pyetjeve për mungesën e makinerive apo për shpërndarjen e energjisë elektrike.