Bayern Munchen është angazhuar seriozisht për të sjellë në Bavari mbrojtësin e Barcelonës, Ronald Araujo. Interesi për uruguajin ka qenë në fokus të Bayern prej kohësh, por Barça nuk ka patur si synim shitjen e tij pasi vlerësohet shumë prej klubit për aftësitë e tij.
Araujo është titullar i padiskutueshëm në formacionin e Xavit dhe madje ka një klauzolë lirimi nga klubi prej 1 miliardë eurosh në bazë të kontratës së fundit të nënshkruar.
Por sipas asaj që raporton AS, Bayern po mendon dhe është i gatshëm të hedhë në tavolinë 80 milionë euro për të. Tekniku Tuchel është një admirues i madh i Araujos dhe e konsideron si një lojtar kyç në skemat e tij.
Me këtë ofertë Barça mund të lëkundet dhe të lëshojë një prej xhevahirëve të saj, edhe për shkak të problemeve të shumta financiare që ka patur klubi këto vite të fundit.
Merkato e janarit sapo ka filluar dhe mbetet për t’u parë se si do të ecin gjërat gjatë këtij muaji transferimesh.