Analisti, Mero Baze ka realizuar një artikull ku flet mbi 7 propozimet e bëra sot nga LSI për reformën zgjedhore ku përfshihet lista e hapur e kandidatëve për deputetë.
Në shkrimin me titull “Listat e hapura, një pazar i mbetur hapur nga Meta për Bashën!”, Baze shprehet se ky është një test nga LSI për PD-në.
“Në një farë mënyre, Ilir Meta po kërkon të vendosë në provë Lulzim Bashën, nëse e ka seriozisht retorikën e transparencës së procesit zgjedhor dhe hapjen e PD”, shkruan Baze.
Ndër të tjera Baze shprehet se propozimet për transparencë, janë të nxitura edhe nga akuzat ndaj LSI-së për blerje vote dhe financime jotransparente.
“Por pika më thelbësore dhe provokative e propozimeve të LSI, mbeten listat e hapura. Ato nënkuptojnë që Partia të caktojë një renditje deputetësh në listë dhe në parlament të hyjnë ata deputetë, që marrin më shumë vota. Pra, qytetarëve t’u jepet e drejta të votojnë jo vetëm partinë, por dhe kandidatët”, shton Baze.
Sipas analistit, ky propozimi dobëson shumë rolin vendimtar të kryetarit të partisë në renditjen e listës dhe i hap rrugë deputetëve më të aftë të marrin votat e qarkut.
Shkrimi i plotë:
“Listat e hapura, një pazar i mbetur hapur nga Meta për Bashën!
Propozimet e LSI për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, duket se synojnë të testojnë gatishmërinë e Partisë Demokratike për ta përkrahur atë para një vendimi për koalicionet e ardhshme. Propozimet e LSI janë shumë larg qëndrimeve të LSI në vitin 2009, kur hyri në grevë urie kundër sistemit të ri elektoral në fuqi, por janë shumë afër debatit politik të PD për transparencë dhe hapje të PD. Në një farë mënyre, Ilir Meta po kërkon të vendosë në provë Lulzim Bashën, nëse e ka seriozisht retorikën e transparencës së procesit zgjedhor dhe hapjen e PD.
Kërkesat e sotme të LSI, dëshmojnë se ajo e ka pranuar këtë sistem dhe kërkon ta përsosë estetikisht, siç pretendon dhe PD. Ato kanë të bëjnë me transparencën e procesit të votimit, transparencën e financimit dhe me një ndryshim thelbësor, që prek renditjen e deputetëve në listën zgjedhore.
Propozimet për transparencë, duket se janë të nxitura edhe nga kompleksi që LSI ka marrë shumë akuza për blerje vote dhe financime jotransparente. Fakti që bëhet iniciatore e këtij procesi, është diçka pozitive dhe tregon që është e gatshme të përballet me këtë problem.
Por pika më thelbësore dhe provokative e propozimeve të LSI, mbeten listat e hapura. Ato nënkuptojnë që Partia të caktojë një renditje deputetësh në listë dhe në parlament të hyjnë ata deputetë, që marrin më shumë vota. Pra, qytetarëve t’u jepet e drejta të votojnë jo vetëm partinë, por dhe kandidatët.
Propozimi dobëson shumë rolin vendimtar të kryetarit të partisë në renditjen e listës dhe i hap rrugë deputetëve më të aftë të marrin votat e Qarkut.
Ky ndryshim ka qenë i rrezikshëm më parë, për shkak të rrezikut të futjes në lista të elementëve me precedentë penalë apo biznesmenëve kontraversë, të cilët ja dalin të bëhen më popullorë se sa pjesa tjetër e deputetëve në fushatë, për shkak të parave dhe fuqisë së rrugës.
Tashmë që është në fuqi ligji i dekriminalizimit, dhe një presion më i madh i opinionit publik, për të mos përfshirë një kategori të tillë në lista, çështja e listave të hapura është një mundësi e mirë.
Ajo në një farë mënyre kompenson votimin mazhoritar, ku qytetarët votonin për emrin e deputetit, dhe i jep kuptim një sistemi vlerash brenda partisë.
Por ky propozim i LSi ka dy pengesa. E para, ajo teknike, që mendoj se ka të bëjë me numërimin elektronik të votave dhe i dyti është politik, dhe ka të bëjë me provën që Meta kërkon prej Bashës, për të bërë koalicion.
Problemi teknik që ka ky sistem në këto kushte, është votimi elektronik. Nëse rezultati i zgjedhjeve me sistem propocional rajonal tek ne vonon një javë të dalë, me sistemin e listave të hapura, ai mund të shkojë një muaj, pasi përveç rezultatit të partive, duhet të bësh renditjen brenda partisë të kandidatëve që kanë marrë më shumë vota, duke e çuar në ekstrem logjikën njerëzore dhe gabimin e mundshme teknik.
Nëse do të arrihet të bëhet një sistem elektronik i numërimit të votave, apo më mirë akoma, një sistem votimi elektronik, në kushtet e ekzistencës së ligjit të dekriminalizimit dhe presionit publik mbi politikën për të mbajtur larg elementët kriminalë, sistemi i listave të hapura do të ishte një zgjidhje e mirë. Ky sistem zhduk komisionerët dhe numëruesit nga procesi, duke i hequr vendit një kosto të jashtëzakonshme financiare, një stres kombëtar dhe duke i dhënë një rezultat brenda disa orësh, duke ndihmuar paqen sociale në vend.
Problemi politik mbetet më i pazgjidhur. Në vitin 2009, kur Rama bashkoi firmën me Berishën për këtë sistem, motivimi ishte pikërishtë pushteti i kryetarit mbi listën. Duke qenë në krye të një partie të vjetër si kryetar i ri, Rama kishte plot dilema për të ardhmen dhe autoritetin e tij në atë parti, edhe pse ishte shumë i votuar realisht.
Përfytyro tani Bashën, që nuk është as i zgjedhur, as i votuar dhe as autoritar brenda partisë. Një propozim i tillë e bën atë, shumë me më pak pushtet brenda partisë, dhe i mbeten në lojë aktorët e vjetër dhe me përvojë.
Provokimi i Metës në këtë drejtim është dhe një lloj hakmarrje e tij ndaj sjelljeve të Bashës, por dhe një provë për të testuar nëse ai është i gatshëm të rrezikojë nga pushteti brenda partisë, për pushtetin e madh.
Nëse ai i thotë “Po” propozimit të listave të hapura, atëhere Rama do ta ketë të vështirë ta kundërshtojë, për shkak se mund t’i bëhet shkak për një aleancë të re para zgjedhjeve. Nëse i thotë “Jo”, Basha shpëton edhe Ramën, por dhe Metën nga qoka para zgjedhjeve.” (D.D/Shuplaka)