Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe kanë vendosur sanksione të reja, cak i të cilave janë dhjetëra anije të “flotës në hije” të Rusisë, e cila ndihmon Moskën t’i shmangë kufizimet e vendosura ndaj saj për shkak të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Kremlini.
Si pjesë e paketës së 17-të të sanksioneve të miratuara nga BE-ja të martën, janë përmendur 189 anije, krahas ngrirjes së aseteve dhe ndalimit të udhëtimit për disa zyrtarë dhe kompani ruse.
Në të njëjtën kohë, Britania miratoi masa që synojnë flotën e në hije në një seri prej rreth 100 sanksionesh të reja, të cilat synojnë të “rrisin trysninë” ndaj Kremlinit.
Sanksionet e miratuara nga Brukseli e çojnë në 342 numrin e përgjithshëm të anijeve të goditura nga masat ndëshkuese, sipas Këshillit të Evropës.
Sanksionet kanë të bëjnë gjithashtu edhe me shkeljet e të drejtave të njeriut dhe kërcënimet hibride nga Moska, tha shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.
“BE-ja ka miratuar paketën e saj të 17-të të sanksioneve kundër Rusisë, duke shënjestruar pothuajse 200 anije të flotës në hije”, shkroi Kallas në X.
“Po përgatiten edhe më shumë sanksione kundër Rusisë. Sa më shumë të zgjasë lufta e Rusisë, aq më e ashpër do të jetë përgjigjja jonë”, paralajmëroi ajo.
Kompani nga vende si Vietnami, Serbia dhe Turqia, të akuzuara se ndihmojnë në furnizimin e ushtrisë ruse me mallra, gjithashtu do të përballen me kufizime.
Dhjetëra zyrtarë rusë do t’i shtohen listës prej gati 2.400 personash dhe entitetesh që tashmë përballen me ndalime vizash dhe ngrirje pasurish.
Paketa përfshin gjithashtu sanksione ndaj individëve rusë për sulme kibernetike, shkelje të të drejtave të njeriut dhe akte sabotimi në Evropë.
BE-ja dhe aleatët e saj perëndimorë kanë ashpërsuar vazhdimisht masat kundër flotës në hije të cisternave ruse dhe aktorëve të lidhur me të, pasi ata përpiqen të shmangin tavanin e vendosur nga Grupi i Shtatë vendeve (G7) për çmimin e naftës ruse, i cili është në fuqi që nga fundi i vitit 2022.