Në 28-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, Bashkimi Evropian ka tërhequr vërejtjen se nuk mund të tolerohet mohimi i gjenocidit, revizionizmit të historisë dhe madhërimit të kriminelëve të luftës.
Kështu u tha në një deklaratë të përbashkët të përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, dhe komisionari për zgjerim, Oliver Varhelyi.
“Para 28 vjetësh një prej faqeve më të errëta të historisë së Evropës u shkrua. Ne ndajmë ngushëllimin dhe dhimbjen e familjeve dhe miqve të viktimave dhe të mbijetuarve të gjenocidit në Srebrenicë. Evropa kujton përgjegjësinë e saj dhe dështimin që të mbrojë. Sot, kur lufta po zhvillohet përsëri në kontinentin e Evropës, ne zotohemi që të veprojmë më mirë për të mbrojtur paqen dhe mbrojmë jetën e njerëzve”, thuhet në deklaratë.
Dy zyrtarët e lartë të BE-së shprehën mbështetjen për aspiratat evropiane të Bosnje e Hercegovinës dhe sovranitetin e saj.
“Në shënimin e përvjetorit të pasojave të konfliktit të armatosur, Bashkimi Evropian përsërit përkushtimin e vet për sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës. Si vend kandidat, e ardhmja e Bosnje e Hercegovinës është në BE”, u tha në deklaratën e përbashkët të Borrellit dhe Varhelyit.
Ata bënë thirrje për pajtim dhe ndërtimin e paqes, bazuar në të vërtetën.
“Pajtimi mund të ndërtohet vetëm mbi të vërtetën, paqen dhe drejtësinë. Nuk mund të ketë tolerancë për mohimin e gjenocidit, revizionimit historik dhe madhërimit të kriminelëve të luftës. Liderët, qytetarët e Bosnje e Hercegovinës kanë përgjegjësi për të punuar së bashku për të ndërtuar një të ardhme më të mirë bazuar në dialog dhe mirëkuptim të ndërsjellë, të forcojnë dhe mbrojnë paqen dhe dinjitetin njerëzor në të mirë të të gjitha gjeneratave”, thanë Borrell dhe Varhelyi.
Në Srebrenicë në korrik të vitit 1995, forcat e ushtrisë së serbëve në Bosnje, të udhëhequr nga gjenerali Ratko Mlladiq, kanë vrarë rreth 8.000 burra dhe djem.
Gjykata për krime të luftës në ish-Jugosllavi i ka cilësuar këto vrasje si gjenocid. Por, në Serbi dhe në entitetin e Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, nga nivele më të larta shtetërore vazhdojnë të mos e pranojnë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid./REL