Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, ka kërkuar nga organet e drejtësisë së Shqipërisë dhe veçanërisht nga SPAK, që të hetojë përgjegjësinë penale të të gjithë atyre që me luftën personale ndaj biznesmenit Bechetti i shkaktuan shtetit shqiptar një dëm prej 120 milionë euro.
Bardhi kërkon që hetimi duhet të fillojë nga kryeministri Rama dhe më pas të shkojnë përpara drejtësisë të gjithë ata që kanë përgjegjësi në këtë çështje.
Postimi i plotë: Në traditën e këtij regjimi të korruptuar, premtimet e Ramës se nuk do të paguajmë asnjë lek për luftën e tij me Becchettin, rezultuan të gënjeshtërta.
Dëmi ekonomik prej 120 milionë euro që Edi Rama i ka shkaktuar familjeve shqiptare për luftën e tij personale me sipërmarrësin italian, është i parikuperueshëm, prandaj ata që kanë përgjegjësi për këtë faturë të rëndë për Shqipërinë dhe shqiptarët, duhet të shkojnë para drejtësisë.
Në 8 prill 2021, Partia Demokratike ka depozituar në SPAK kallëzimin për çështjen Becchetti. Faktet dhe provat janë të mjaftueshme që drejtësia të hetojë dhe të vërë para përgjegjësisë penale të gjithë ata që kanë abuzuar me pushtetin, duke shkaktuar këtë dëm të madh ekonomik për familjet shqiptare.