Presidenti Bajram Begaj kujtoi sot 105-vjetorin e Kongresit të Lushnjës, i vetmi autoritet i Shqipërisë me fuqi sovrane, që vetëvendosi aktin themeltar të shtetit duke e shpëtuar vendin nga copëtimi dhe vëllavrasja. Kreu i Shtetit kujtoi se “në 21 janar të 1920-ës, patriotët shqiptarë u mblodhën në Lushnje për të ringjallur pavarësinë e vendit, për të mbrojtur ëndrrën dhe sakrificën e Kuvendit të Vlorës”.
“Ata sfiduan çdo rrezik, dëshmuan vullnet të epërm në mbrojtje të tokave shqiptare dhe lirisë përballë forcave antikombëtare e atyre pushtuese”, u shpreh Begaj. Begaj tha se “Shqipëria është ngritur dhe mbrojtur nga njerëz të tillë, nga akte dhe vlera të tilla të larta”. “Shqiptarët do t’i kujtojnë përjetë me nderim të thellë ata”, u shpreh Presidenti.
Qëllimi i mbajtjes së Kongresit të Lushnjës ishte mbrojtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë, rimëkëmbja e shtetit shqiptar dhe sigurimi i pavarësisë së tij.
Kongresi i Lushnjës hodhi poshtë planet e Konferencës së Paqes në Paris dhe u shpreh për mbrojtjen me çdo kusht të tërësisë dhe të pavarësisë së plotë të shtetit shqiptar në kufijtë e vendosur nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër në 1913.