Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi sot një vizitë në Bashkinë Roskovec, ku u njoh me nismat e ndërmarra nga drejtuesit vendorë, banorët dhe sipërmarrësit privatë. Kreu i Shtetit u prit nga Kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, znj. Majlinda Bufi, me të cilën bisedoi për projektet zhvillimore në dobi të komunitetit.
Presidenti Begaj përgëzoi modelin e krijimit të shoqërive të përbashkëta i zgjedhur nga banorët e Roskovecit dhe i aplikuar fillimisht nga fermerët dhe artizanët, ndërsa vizitoi edhe një punishte artizanati ku janë të punësuara gra dhe vajza. Një grupim i tillë synon krijimin e markave të qytetit duke filluar nga vaji i ullirit, deri te produktet artizanale.
Presidenti i Republikës përshëndeti iniciativën e krijimit të shoqërive të përbashkëta, duke e vlerësuar si projekt ambicioz dhe model për bashkitë e tjera. Presidenti i Republikës shprehu gatishmërinë e tij dhe të institucionit që drejton për mbështetjen e realizimit të këtij objektivi me bindjen se shumë shpejt ky bashkim do të arrijë të nxjerrë markën e tij të produkteve.
Disa nga këto produkte u ekspozuan këtë të premte në panairin “Festa e Ullirit” në fshatin Kurjan. Presidenti Begaj vizitoi stendat dhe bisedoi me fermerët e sipërmarrësit pjesëmarrës.
“Roskoveci është një bashki me traditë bujqësore e me kulturë të larmishme, ndaj dhe meriton të mbështetet në iniciativat shumë të mira të ndërmarra deri tani nga bashkia dhe qytetarët”, – vlerësoi Presidenti i Republikës.
Gjatë kësaj vizite, Kreu i Shtetit zhvilloi edhe një bashkëbisedim me disa të rinj, të cilët i përgëzoi për përfshirjen e tyre në veprimtarinë e fushës së të drejtave dhe parandalimin e dhunës.
Presidenti takoi e bisedoi me të moshuar që kanë kontribuar në ndërtimin e shembujve të mirë për të rinjtë e kësaj zone nëpërmjet punës së tyre me përkushtim e ndershmëri. Gjithashtu, Presidenti Begaj vizitoi Muzeun Historik të ngritur pak muaj më parë, për të cilin kanë kontribuar dhe banorët në promovimin e traditës dhe vlerave të kësaj zone.
“Një muze i veçantë, me vlera të larta për vendin tonë. Historia, tradita dhe vëmendja me të cilën është trajtuar ky muze është shumë e veçantë. Shpreh falënderimet e mia për secilin që ka kontribuar në këtë muze. Tradita vazhdon!” – shkroi Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në librin e shënimeve.