Në një kohë që në Gjykatën e Posaçme do të zhvillohet sot seanca paraprake për vrasjen e Santiago Malkos, për vetëm një prej të pandehurve, janë ”bërë të gjallë” anëtarët e klanit Duka.
Ata kanë kërkuar përmes avokatëve të tyre, që të gjykohen së bashku me Ilir Selmanin, të vetmin person që është i arrestuar për vrasjen e Malkos.
4 prej personave të shpallur në kërkim, kanë dërguar prokurë përmes avokatëve të tyre, duke kërkuar që të gjykohen së bashku me Selamin, dhe duan revokimin e veçimit të çështjes.
Ishte GJKKO ajo që vendosi disa ditë më parë veçimit e çështjeve për të pandehurit, sa kohë që asnjë prej të shpallurve në kërkim nuk ishte gjetur dhe arrestuar nga ana e policisë.
GJKKO vendosi pezullimin e çështjes për një vit për të pandehurit që janë ende në kërkim: Leonard Duka, 33 vjeç; Erlis Duka, 29 vjeç; Oltian Loga, 38 vjeç; Fatmir Hyseni Musai, 42 vjeç; Aleksandër Maxhaku, 37 vjeç.
Ata përmes prokurave kërkojnë që të rrëzohet vendimi i shkallës së parë, dhe të vijohet gjykimi edhe pse janë ende në mungesë.
Santiago Malko u vra në zonën e Porcelanit në Tiranë, ngjarje e ndodhur kjo në 27 Gusht të vitit 2019, pas përplasjeve mes grupeve rivale, që dyshohet se merreshin me trafikun e drogës.
(E.K/Faxweb.al)