Në intervistën për ERT, Kryeministri Edi Rama u shpreh se nuk mund të ketë dy drejtësi, referuar këtu “presionit” të Athinës për lirimin e Belerit.
Pyetjen nëse paraburgimi i Belerit po zgjatet qëllimisht nga qeveria shqiptare në mënyrë që të mos betohet si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës, Rama e mohon kategorikisht. Ai shprehet se qeveria nuk ndërhyn në punët e SPAK e për këtë solli si shembull faktin se shumë zyrtarë të lartë, pjesë e PS-së janë në kërkim dhe në paraburgim nga Prokuroria e Posaçme.
-Le të vijmë tek intervista juaj e fundit tek Kathimerini. Ju përdorët disa epitete, disa karakterizime të ashpra do të thoja për zotin Beleri, për të cilat ju vet thatë që jeni penduar që i thatë, veçse ka shumë nga ata që thonë, qe i përdoret qëllimisht për përfitime politike dhe u drejtuat me këto retorika paksa ekstreme ndaj një anëtari të minoritetit grek.
Kryeministri Edi Rama: Zotëria është një qytetar i Republikës së Shqipërisë, që duhet të jetë i barabartë përpara ligjit si çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë, por njëkohësisht duhet të përgjigjet përpara ligjit si çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë dhe nuk mund të ketë dy drejtësi, një drejtësi për qytetarët shqiptarë me kombësi shqiptare dhe një tjetër për qytetarët shqiptarë me kombësi greke. Ka vetëm një drejtësi dhe nëse kjo drejtësi nuk është e përsosur, nuk është e përsosur për të gjithë.
-Po, por mbetem pak tek ky fakt sepse juve ju jeni drejtuar dhe disa anëtarëve të tjerë të komunitetit grek në Shqipëri duke përdorur shprehjen “përdorin flamurin grek si kartë krediti”. A nuk do të fyhej një minoritar?
Kryeministri Edi Rama: Unë kam thënë që janë njerëz këta që i fryjnë këtyre erërave dhe që mezi presin që të hedhin benzinë në këtë zjarr, që përdorin flamurin grek si kartë krediti pa asnjë diskutim, por kam thënë gjithashtu që këta nuk janë atipikë në aspektin që ka dhe shqiptarë që e përdorin flamurin shqiptar si kartë krediti. Por ndërkohë që, kur vjen fjala te shqiptarët. Ata nuk mund të ankohen sikur janë minoritarë që po iu shkelen të drejtat dhe po zhvishen nga pronat e tyre. Këta të tjerët e bëjnë këtë dhe të them të drejtën duhet të them e bëjnë me sukses, përderisa arrijnë ta manipulojnë Athinën zyrtare dhe arrijnë të vënë në dispozicion të qëllimeve të tyre jo dhe aq fisnike Athinën zyrtare.
Së pari, që në momentin kur SPAK, Prokuroria jonë speciale për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar futet në një proces zyrtarisht, gjithmonë unë, qeveria ime, partia që unë drejtoj, pra shumica parlamentare e Shqipërisë bën të njëjtën gjë, ekzakt të njëjtën gjë, siç kemi bërë dhe në këtë rast. I referohemi vetëm drejtësisë sovrane për të bërë drejtësi dhe nuk interferojmë në asnjë formë dhe përmes asnjë rruge, qoftë publikisht, qoftë jo publikisht në punën e saj. Sepse ky është një moment historik për Shqipërinë. Dhe sot kjo drejtësi nuk është në aktin e vetë të parë me zotërinë për të cilin është shqetësuar Athina zyrtare, por ky është njëri nga hallkat e zinxhirit të krijuar të këtyre akteve të goditjes së problemeve me të cilat ajo merret të njerëzve shumë pranë pushtetit.
Sot ish zëvendësi im është në kërkim. Janë 4 apo 5 kryetarë bashkish të Partisë Socialiste që janë në paraburgim, në pritje të daljes në gjyq për të njëjtën arsye:Vullnetin e kësaj drejtësie për të goditur pa parë se çfarë ngjyre ka, se afër kujt është apo se kë po lëndon nga pikëpamja politike apo nga pikëpamja financiare