Një sipërfaqe prej rreth 40 hektarësh tokë me ullinj dhe pyje është djegur si pasojë e një zjarri të ndezur në mënyrë të qëllimshme në fshatin Shegas, Belsh. Autori i dyshuar, shtetasi H. M., 64 vjeç, banues në të njëjtin fshat, është arrestuar në flagrancë nga Policia e Cërrikut.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimet e kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik zbuluan se zjarri kishte nisur në tokën në pronësi të 64-vjeçarit dhe më pas ishte përhapur me shpejtësi, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme ullishte dhe pyll.
Materialet procedurale për rastin i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan apelon me forcë ndaj qytetarëve që të shmangin ndezjen e zjarreve, duke theksuar se çdo rast i tillë do të ndiqet penalisht.