Kreut i LIBRA-s, Ben Blushi ka reaguar për dorëheqjen e kryeministrit të Italisë, Matteo Renzit. Ky i fundit ka dhënë dorëheqjen nga posti pas humbjes të shënuar në referendum. Ai pësoi një disfatë të rëndë në referendumin e zhvilluar mbi planin e tij për reformimin e Kushtetutës.
Sipas Ben Blushit Italia dhe Europa do mbeten sërish në pasiguri dhe mjegull. Për deputetin Blushi ky kaos politik do ta dobësojë shumë eurozonën dhe entuziazmin për zgjerimin e Bashkimit Europian. “Referendumi për kufizimin e kopetencave kushtetuese të Senatit u rrëzua nga afro 60 për qind te votuesve, duke marrë me vete Qeverinë e Matteo Renzit. Ky kaos politik do ta dobësojë edhe më shumë eurozonën si dhe entuziazmin për zgjerimin e Bashkimit Europian”, shkruan Blushi.
Blushi sqaron se ka ardhur koha të mendojmë për ti zgjidhur vetë punët tona, duke ndihmuar vetë veten tonë.
“Europa nuk na ndihmon dot nëse nuk ndihmojmë veten. A mund të të ngrohë dielli nesë jeton në bodrum? Natyrisht që jo. Errësira jonë është made in Albania, por pesimizmi ynë është made in Europe”, thekson ai.
Sa për referendumin e djeshëm në Itali ai tha se rrezultati ishte një votë kundër Qeverisë, megjithatë edhe ai do votonte me kënaqësi që parlamenti i Shqiperisë të kishte vetëm 100 deputetë.
“ Në një sallë me 100 njerëz ka më pak vend për të pashkolluar anonimë dhe banditë se në 140”, përfundoi Blushi.