Kryetari i LIBRA-s, Ben Blushi, ka zyrtarizuar pjesëmarrjen e partisë në zgjedhje, “kurdoherë kur do të mbahen ato”, sikundër deklaroi ai.
Ai shprehu interesimin për të bashkëpunuar për zgjidhje të ngërçit, duke bërë gjithçka për organizimin e një tryeze parlamentare.
Sot kishim mbledhjen më të rëndësishme të LIBRA-s. Kemi filluar të marrim në shqyrtim kandidatët për deputet për zgjedhjet e ardhshme kurdo qofshin. Më vjen mirë që kanë kandiduar dhe kanë kërkuar të kandidojnë. Kriteri bazë i kandidatëve është të jenë qytetarë të zakonshëm të Republikës së Shqipërisë. Deri sot kanë kandiduar pothuajse 200 burra dhe gra, të rinj e të reja nga gjithë Shqipëria.
Besojmë se në ditët në vijim ne do të përfundojmë listën e kandidatëve për deputet të LIBRA-s. E kemi në plan të kandidojmë kudo. Shpresojmë që duke filluar nga nesër, palët të ulen në tryezë. Koha për t’u ulur në tryezë po skadon duke cënuar rëndë integritetin dhe legjitimitetin e zgjedhjeve të ardhshme parlametare.
Reforma në drejtësi pengon zgjedhjet dhe zgjedhjet pengojnë reformën në drejtësi. Janë pjesë të një hallke. Do ishte tragjike nëqoftëse shqiptarëve do u sekuestrohej mënyra për të votuar. LIBRA është e gatshme të bëjë gjithçka për të përmirësuar situatën.
Ne kemi vendosur që të shkojmë në zgjedhje me çdo kusht. Do marrim pjesë në zgjedhje për t’u vërtetuar të gjithëve se pushteti në Shqipëri mund të ndryshojë me votë. Jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka për të ndikuar në një tryezë të partive parlamentare, pavarësisht kush e organizon atë, duke shkuar aty me opsionet tona. Është urgjente thirrja e një tryeze.
(XH.A/SHUPLAKA)