I ftuar në studion e Fax News kryetari i Ballit Kombëtarë, Adriatik Alimadhi, ka komentuar ditën e sotme marrjen e mandatit të deputetit, protestën e opozitës dhe planin qeverisës së partisë.
I pyetur nga gazetarja për raportet që Alimadhi si përfaqsues i Ballit Kombëtar, ka me Bashën ai ka mbajtur distancën duke u shprehur se, “PD prej 2005 nuk ka mbajtur asnjë prej marrveshjeve të bëra gjatë koalicionit”.
“Kjo kohë ka qënë shumë e ngjeshur për mua, duhet të ndajë botën shpirtërore, jam treguar dhe jam dashamirës i PD-së, por tashmë jam në Kuvend si deputet.
Ne ballistët të japim besën, por nëse ti shkel besën mbajmë qëndrim.
Që nga 2005 nuk është mbajtur asnjë marrveshje. Partia Demokratike na është ofruar ta bashkonim Ballin Kombëtar në një të vetme dhe në të njëjtën kohë e bëri këtë bashkim dhe me Ballin Demokrat. Këto janë veprime jo të denja dhe kthesa ime sot lidhet pikërisht me këto.”
Ndërkohë ai ka vijuar më tej duke treguar se PD ka vjedhur votat e partisë së tij, por me pranimin e deputetit Alimadhi premton për situata të reja politike.
“E kam ndjekur situatën politike dhe jam krenar që sot po flitet për Ballin Kombëtar. Jam i bindur që do të krijohet një situat e re dhe ndryshe.
Ne do të ndryshojmë sepse do të jemi të pavarur, me mandatin më është dhënë mundësia të bëjë një politikë të pavarur.
PD mirë që ka një sjellje të padenjë me Ballin Kombëtar por ajo ka qënë vjedhësja kryesore e votave ndaj partisë.”
Një tjetër shqetësim Alimadhi e ka patur dhe për mediat të cilat mesa duket nuk kanë pasur interesim për partinë e tij.
“Sot më është dhënë mundësi të flas me publikun, me ballistëtët. Unë nuk kam pasur mundësi të ngre zerin. Kam vënë re që ka një kapje të sistemit të medias në Shqipëri nga politika madje edhe vetë RTSH-ja.
Askush nga mediat nuk kanë treguar interes për ne si parti, kurse tani që kam pranuar mandatit vijnë të gjitha mediat. Po ç’rëndësi ka tani?!”
Alimadhi duke e gjykuar protestën e opozitës si një veprim të nxituar, ka qëndruar sërish tek vlerat morale dhe politike që duhet të ketë marrdhënia partiake mes Ballit Kombëtar dhe Partisë Demokratike.
“Ne duhet të sillemi si qytetar të cilët pretendojnë të futen në BE. Protesta e opozitës është një veprim i nxituar.
Unë jam mësuar të sillem si nacionalist. Unë mund të jem patrioti i fundit por kur të bëjnë një marrveshje me mua dhe Ballin Kombëtar duhet të japim besën. Unë dua që PD të jetë e shëndetëshme dhe me program të qartë.
Ndërkohë që unë mendoj se LSI shkon herë andej herë këtej por boshti moral i politikës së qënësishme duhet të ketë një shtrat që të gjithë shqiptarët ta besojnë.”
Pas pranimit të mandatit Adriatik Alimadhi do të jetë deputet në Kuvend. Ai gjatë fjalës së tij ka përmendur edhe raportin që ka me qeverinë aktuale.
“Unë jam shumë i lumtur që kam marrë mandatin dhe ky është i ballistëve vlonjat. Jam në gjendje ti përfaqsoj denjësist pavarsisht situatave politike. Në lidhje me qeverinë nuk më lidh asgjë. Mua më kanë internuar dhe dëbuar në moshën 4 vjeçare, kjo domethënë nuk më lidh asgjë. Për mua sot është ish-partia kriminale e punës duke qeverisur vendin. Adriatik Alimadhi është me bindje të qarta atdhetare dhe patriotike, askush nuk ka të drejtën të luaj me mua. Mua dhe Ballin Kombëtar nuk e lidh asgjë me qeverinë.”
(S.A/FAXWEB.AL)