Kreu i PD-së Sali Berisha u pyet nga gazetarët në lidhje me deklaratat e tij, ku ftoi Lulzim Bashën që të mos ishte pjesë e protestës.
Berisha tha se kjo kishte si qëllim shmangien e incidenteve.
Pyetje: Basha ndoqi këshillën tuaj dje dhe nuk erdhi në protestë. Keni ndonjë këshillë tjetër për Bashën?
Berisha: Thjesht dua t’iua them këtu, që nuk doja të ndodhte asnjë incident, pse të më prishte lajmin ai mua.
Ndërkohë sa iu takon deputetëve të PD që iu bashkuan protestës, Berisha tha se ata bënë vetëm detyrën e tyre, duke qenë së bashku me votuesit në shesh.
“Lidhur me pjesëmarrjen e deputetëve të PD, ata kanë përmbushur një detyrim moral dhe ligjor. Ata janë gjetur mes zgjedhësve dhe mbështetësve të PD, aty ku ishin.
Prandaj i përgëzoj. Protesta i mirëpret dhe ne i kemi ftuar ata. Në këtë aspekt nuk kam asnjë mëdyshje që ata janë deputetë të PD.
Natyrisht nuk i injoroj problemet që ekzistojnë. Por ata që venë PD-në të parën, dinë të marrin vendimet e duhura
…PD ishte dje më e bashkuar se kurrë në misionin e saj. Por, siç e shpreha, largimi i Edi Ramës nga pushteti është objektivi më imediat i këtij revolucioni.
Nuk është çështja e pushtetit në këtë rast, themelore është përmbysja e monizmit, ndëshkimi i vjedhjeve të tmerrshme dhe mbulimi që u bën SKAP dhe prokuroria.
Çdo ditë e më shumë kemi të dhëna për mekanizmat se si mbyllen aferat e Erion Veliajt, Edi Ramës, Arben Ahmetajt, Damian Gjiknurit etj.
A e morët vesh, në Butrint del djali i xhaxhait të Damianit. Me 30 milionë euro, del djali i xhaxhait të Damianit. Rastësira janë këto? Jo. Kështu që këta do të ikin.
PD nuk njeh formë tjetër të pushtetit përveçse me votë të lirë,” tha Berisha.