Në Izvol të Vlorës po kalbet dhe rrëzohet një prej rrepeve të Izvolit i cili është monument natyre dhe po rrezikohet jeta e anëtarëve të familjes Daupaj nga fshati Tragjas të cilët kanë banesën pranë monumentit. Sëmundja që ka prekur rrepet, për më shumë se një viti është raportuar nga familja në fjalë pranë Drejtorisë Rajonale të Trashëgëmisë Kulturore (DRKK) Vlorë dhe njësisë administrative Orikum. Por mosmarrja e masave, në prerjen e degëve të dëmtuara, ka bërë që 3 ditë më parë, degët të bien mbi banesën dhe biznesin e familjes Daupaj, duke u rrezikuar jetën fëmijëve dhe bashkëshortëve të cilët kanë qenë në banesë.
Fatmirësisht dëmet kanë qenë materiale, por për kryefamiljarin Emiliano Daupaj situata është serioze pasi edhe rrepe të tjerë rrezikojnë të bien, ndërkohë që asnjë masë nuk është marrë për të larguar rrapin e rënë në banesën e tyre. Në një intervistë për Fax News Emiliano Daupaj thotë se do ti drejtohet prokurorisë për neglizhencë të institucioneve. Ndërkohë që ai vetë nuk ndërhyn dot në pastrimin e rrepeve, pasi këto të fundit janë shpallur monument natyre.
Bashkëshortja e tij, Ela Daupaj shprehet e terrorizuar nga situata që kishte krijuar rënia e rrapit 3 ditë më parë dhe se asnjë nga institucionet nuk po mban përgjegjësi për rrezikun që u kanoset.”Edhe pse kanë kaluar 3 ditë asnje masë nuk është marrë ende, vetëm është rrethuaar zona për të mos hyrë turistët.
Unë kam qenë te dera dhe pashë që po binte rrapi dhe po bërtisja largohuni fëmijëve, u tmerrova sepse bëri një zhurmë të tmerrshme. Çatia rrezikon shëmbjen sepse është e vogël dhe nuk e di si mund të shkojë kjo situatë. Kam marrë ambulancën menjëherë atë ditë, mendoja vetëm për fëmijët dhe falë zoti kemi pasur vetëm dëme materiale të pakta. Këtu kam punuar shumë me zemër prej vitesh dhe ky shtet nuk bën asgjë, thjesht kanë ngjitur ato letrat e bardha që thonë rrezik kalimi dhe ska ardhur askush. Edhe sot ka rënë një rrep tjetër ketu mbrapa dhe të tjerët janë të kalbur.”