Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Prokurorisë së Fierit lidhur me aktivitetin e kompanisë Bankers Petroleum, duke i quajtur ato mashtruese dhe të motivuara politikisht. Sipas Berishës, pas sulmeve ndaj kompanisë fshihet një qëllim i qartë: përzënia e saj dhe kalimi i koncesionit te interesa të tjera të lidhura me qeverinë aktuale.
“Lubia i ka vënë syrin Bankersit. Nuk guxon kush tjetër të veprojë kështu përveç Ramës me Lubinë,” – tha Berisha.
Ai sqaroi se kontrata me Bankers Petroleum nuk është firmosur nga qeveria që ai drejtonte, por nga qeveria e Fatos Nanos. Megjithatë, gjatë qeverisjes së tij u vendos një rentë prej 10% mbi shitjet, të cilën kompania e ka paguar pa e kundërshtuar në arbitrazh. Sipas Berishës, gjatë viteve të qeverisjes së tij, Bankers ka paguar:
-
500-600 milionë euro në rentë
-
200-300 milionë euro në pagesa për Albpetrolin
-
Tatime, sigurime për mbi 1500 punonjës dhe taksën e karbonit
-
“Si mund të thuhet që kompania nuk ka paguar asnjë detyrim në 20 vite? Janë mbi 1 miliard euro kontribute në total,” – shtoi ai.
Berisha kritikoi ashpër edhe ndërhyrjet politike në veprimtarinë e kompanisë, duke thënë se përdorimi i deklaratave të prokurorëve për të përbaltur figura politike dhe kompani të mëdha është një praktikë e rrezikshme që dëmton klimën e investimeve në vend.