Ish-kryeministri Sali Berisha ka lëshuar akuza të rënda ndaj Altin Troplinit, duke e quajtur atë një “ushtar të botës së krimit” dhe të lidhur drejtpërdrejt me kartelin më të rrezikshëm të drogës në Europë.
Sipas Berishës, Altin Troplini ka mbajtur për rreth tre javë një urdhër-arrest ndërkombëtar për bosët e këtij karteli dhe nuk e ka ekzekutuar menjëherë, duke lejuar kështu largimin e tyre në mënyrë të fshehtë. “Kaluan mbi tre javë dhe Troplini nuk ka dhënë asnjë shpjegim për këtë njoftim që siguroi arratisjen e krerëve të një organizate të fuqishme kriminale,” tha Berisha.
Ai theksoi se përpjekjet për të implikuar struktura ndërkombëtare si DEA dhe Antimafia Italiane janë vetëm për të shmangur përgjegjësinë, duke shtuar se “as DEA amerikane dhe as Antimafia italiane nuk kanë njoftuar bosët e këtij karteli.”
Berisha akuzon se veprimet e Troplinit nuk janë të pavarura, por të mbështetura nga lidhje me strukturat shtetërore. “Ky klan është i lidhur kryekëput me qeverinë. Troplini ndjehet i mbrojtur në Prokurori,” u shpreh ai, duke paralajmëruar se çështja do të marrë përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ish-kryeministri përmendi gjithashtu përpjekjet për të përdorur dëshmitarë të rremë, si rasti i Alfred Shehut, dhe theksoi se shqiptarët nuk kanë marrë ende asnjë shpjegim për këtë situatë.
Në përfundim, Berisha e cilësoi Altin Troplinin si “një ushtar të partisë së krimit, të karteleve të drogës dhe të Edi Ramës”, duke e akuzuar për bashkëpunim të drejtpërdrejtë me rrjetin kriminal që vepron në Shqipëri dhe më gjerë.