Në konferencën për shtyp të mbajtur nga lideri i opozitës, Sali Berisha, u denoncua ashpër buxheti i vitit 2025, i cili, sipas tij, është “buxheti i vjedhjeve më të mëdha në historinë e Shqipërisë.”
Berisha kritikoi qeverinë për keqpërdorimin e fondit prej 8 miliardë eurosh, duke theksuar se në vend të rritjes së rrogave dhe pensioneve, këto fonde do të shkojnë për projekte korruptive, veçanërisht në infrastrukturë. Sipas tij, ndërtimi i rrugëve dhe projekteve të tjera publike në Shqipëri realizohet me kosto shumë më të larta sesa në vendet e tjera të BE-së, si Kroacia, ku ai pretendon se vidhen deri në 90% të investimeve.
Berisha theksoi gjithashtu se ky buxhet do të sjellë një tjetër “fatkeqësi” për qytetarët shqiptarë, pasi shpenzimet e fryra për punët publike, si shkollat dhe qendrat shëndetësore, përfaqësojnë vjedhje të madhe të fondeve publike.
FJALA E BERISHËS
Mirëdita dhe përshëndetje gazetarëve dhe të gjithë atyre që ndjekin këtë takim me gazetarët në kushte të veçanta.
Jam sot para jush për të denoncuar publikisht buxhetin e vitit 2025, të shpallur si buxhetin më të madh të kohërave prej 8 miliardë eurosh, por pasi jam njohur me strukturën e tij, informoj qytetarët shqiptarë se ky do jetë buxheti i vjedhjeve më të mëdha të qytetarëve nga narkoqeveritarët qendrore dhe vendorë të tyre në tërë historinë e vendit.
Kjo sepse në këtë buxhet prej 8 miliardë euro, i cili de facto bën të mundur dyfishimin e të gjitha rrogave dhe pensioneve në Shqipëri, por le të themi me dorë të kursyer rritjen me 50 përqind të tyre pa asnjë vështirësi, parashikohet jo kjo, por parashikohet një vjedhje e tmerrshme e këtyre shumë miliardave euro të qytetarëve shqiptarë.
Kështu sipas strukturës së përcaktuar nga narkoqeveria, buxheti do përdoret pasivisht për llokmat e rrugëve dhe jo rrugët, sepse ndërtimi i rrugëve siç e dini është zëvendësuar me ndërtimin e llokmave, apo siç i pëlqen Ramës dhe Lubisë, loteve të tyre.
Pra, do i përkushtohet kryesisht këtyre për faktin e vetëm se 1 km rrugë në të njëjtin terren në Shqipëri, ndërtohet me 10-fishin e çmimit me të cilin ndërtohet në Kroaci.
Çka do të thotë se në Shqipëri vidhen të paktën 90 përqind e investimit, madje edhe më shumë, po të kemi parasysh se rrogat në Kroaci janë dy herë më të larta se në Shqipëri.
Buxheti prej 8 milardë euro shënon fatkeqësinë e madhe të radhës për shqiptarët pasi ky buxhet në të gjitha punët publike të tjera, përveç rrugëve, shkollat, qendrat shëndetësore, çerdhet, zyrat, etj, parashikon një kosto 6 gjer në 10 herë më të lartë se sa në mesataren e BE.
Pra, parashikon një vjedhje, po të kemi parasysh dhe rrogat, 70 gjer në 94 përqind të të gjithë investimeve që bëhen në këto objekte.
Kurrë ndonjëherë një qeveri nuk ka vjedhur në mënyrë kaq të pamëshirë qytetarët e vet.