Nga Kuçova, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u bëri thirrje mbështetësve dhe simpatizantëve të angazhohen gjatë dy javëve të fundit të fushatës, të cilat i cilësoi si vendimtare për të ardhmen e vendit. Ai theksoi se programi i PD nuk është vetëm për demokratët, por për të gjithë shqiptarët që kërkojnë ndryshim dhe një qeverisje më të ndjeshme ndaj nevojave sociale dhe ekonomike.
Fjala e Kryedemokratit Sali Berisha:
Miqtë e mi!
Janë momente shumë të rëndësishme. Janë dy javë para nesh përcaktuese. Thirrja ime për secilin prej jush, për çdo mbështetës dhe simpatizant tonin.
Le ti shpallim këto dy javë, javët e misionit tonë, e një misioni për të trokitur në çdo zemër, për të bindur çdo qytetar se ky program nuk është program për një parti, është program për çdo shqiptar.
Ky program miqtë e mi, nga njëra anë kthen paratë, jo vetëm demokratëve, por çdo shqiptari që ka paguar taksa.
Nga ana tjetër, ky program krijon një mundësi të re për 760 mijë pensionistë, që të kenë një jetë jo më siç e kishin më parë, të kenë një ushqim normal.
Por dhe ilaçet. Lista e ilaçeve do të jetë ajo që ka Republika Italiane. Do rimbursohet 100%.
Secili nga pensionistët dhe rrogëultët do të kenë Kartën e Konsumatorit, do i marrin ushqimet bazë me 20% më lirë dhe do të marrin mbrapsh TVSH, 450 euro është pra sa një rrogë minimale pothuaj.
Mundësi më e madhe do të ketë për çdo të ri, i cili do të shkollohet, nuk do të përjashtohet nga universiteti për mesataren.
Do të ketë për çdo të ri, i cili pasi mbaron universitetin do të mbështetet fuqishëm për punësimin e tij, për strehimin e tij, për biznesin e tij.
Do të ketë për çdo nënë, motër, grua të cilat do të mbështeten fuqishëm me kredi, me grande për të udhëhequr biznese, për të patur sukses. Por edhe për të patur bollëk në familjen e vet, për të mos u detyruar më se, kjo sofër nuk mban kaq shumë. Se kjo sofër është më e vogël se sa jemi ne.
Nënat, motrat, gratë dhe vajzat shqiptare duhet ta kenë të qartë se Ministria e Familjes do të jetë avokatja më e fuqishme e interesave të tyre, mbështetësja më e fuqishme për to.
Familje e fortë, ky është qëllimi ynë, por pa gra, nëna e motra të forta nuk ka familje të fortë.
Miqtë e mi! Pra, kjo është fushatë.
Për biznesmenët i përgjysmohet barra fiskale. Hapësirë më e madhe, punëson më shumë, kursen më shumë.
Ne besojmë se në këtë mënyrë e ngremë Kuçovën dhe Shqipërinë në madhështinë e saj.
Kuçova është vend i rezervave të mëdha të naftës, por është vend dhe i pasojave serioze. Ju garantoj se do të bëjmë gjithçka për mbrojtjen e këtij mjedisi dhe pastrimin e tij. Për një mjedis të shëndetshëm për banorët e këtij rrethi dhe këtij qyteti.