Sali Berisha ka folur sot hapur për humbjen e PD-së në zgjedhjet e 25 qershorit. Për Berishën sigurisht përgjegjësinë kryesore e ka Lulzim Basha, por nga ana tjetër të gjithë duhet të mbajnë përgjegjësinë e tyre.
”Përgjegjësi kryesor i kësaj, që pësoi PD është Lulzim Basha, por pa i hequr asnjë gramë, përgjegjësi kanë me radhë në shumë aspekte, por po t’i marrim kështu, secili duhet të shohë ku e ka një copëz përgjegjësie, edhe në bazë, edhe në degë, cili qe organizimi i PD në këto katër vite?”, theksoi Berisha.
Ish-kryeministri komentoi edhe rrugët se si mund të ngrihet PD-ja, duke shprehur se ka besim në potencialet e saj.
”Totalisht në funksion të një strategjie të re, këtu unë kuptoj se një palë nuk voton, apo të tjerë, po këto janë masa, hapa. Tani zhvishemi nga emocioni, nuk e shohim humbjen si fatalitet, se kjo është edhe më fatalitet.
A ka potenciale? Absolutisht unë e besoj dhe do ta kërkoj atë.”, u shpreh Berisha.
Ish-kreu i PD-së nuk ka dashur të komentojë asnjërin nga kandidatët, sidomos kur u pyet për kritikat që ka patur Eduard Selami lidhur me garën.
”Nuk po merrem me komentet e kandidatit, por unë në raport me statutin, sepse të jeni të sigurtë për një gjë: Nuk kam ardhur këtu as për Lulzim Bashën as për Eduard Selamin, kam ardhur këtu për statutin dhe si anëtar i saj. Nëse statuti do ishte shkelur dhe do kisha konstatuar dhunim e ligjit, do kisha qëndrim tjetër.
Edhe njëherë them kërkesa për dorëheqje, kanë qenë absolutisht të drejta”, tha Berisha, duke bërë një analogji me sjelljen e Edi Ramës kur humbi zgjedhjet e përgjithshme, duke mos realizuar as votime në partinë e tij. (V.G/SHUPLAKA)