I ftuar në “Top Story” përballë gazetarit Sokol Balla, ish-kryeministri Sali Berisha ka folur edhe për ngjarjen e 21 Janarit, për të cilën u shpreh se ndjen keqardhje për vrasjen e protestuesve, por këtë ia faturoi kryeministrit Edi Rama.
Sipas Berishës, Rama kërkoi të merrte me forcë institucionin e Kryeministrisë dhe kjo gjë, sipas tij, ishte e papranueshme.
“Pashë në 21 janar Edi Ramën që ushqente urrejtje dhe armiqësori saqë donte të vinte dhe të mbante fjalim nga ballkoni i zyrës sime dhe ndjeva keqardhje. Atë që bëra për Andrea Stefanin e bëra me ndërgjegjie të plotë. Ai nuk ka qenë armik i imi. Në publicistikën e tij ai kishte qëndrime të drejta. Por unë e kam shumë të vështirë të konceptoj armik, kundërshtarin. Por nëse Rama s’do të përbahej, ai sot s’do të ishte më. 40 herë kam shprehur dhimbjen për viktimat e 21 janarit, por institucioni nuk dorëzohej kurrë nga Sali Berisha. Ishte bërë zgjedhje e gabuar nga Edi Rama. Unë isha në krye të detyrës. Ajo ishte ditë pune. As 3, as 13, as 300 nuk do mund të pushtonin zyrën time. Atë zyrë nuk e ka sulmuar kurrë Sali Berisha, kjo është e faktuar”, u shpreh Berisha.