Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi këtë shtunë një takim me qytëtarë të Gramshit për të prezantuar kandidatët për deputetë dhe programin e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” në zgjedhjet e 11 majit.
“Gramshi si asnjë rreth tjetër ka nevojat më emergjente. Para se të vija këtu, një mik i imi Besnik, Kala, doktor, rruga e Kodovjatit ngeli aty ku e latë në 2013 dhe nuk është shtyrë më tej asnjë kilometër. Janë dhjetëra fshatra që as rrugët e qeverive nuk i kanë më siç i kanë pasur. Gramshi në të vërtetë është një rreth me pasuri shumë të mëdha, me njerëz shumë punëtorë, të përkushtuar. Një rreth në të cilin është një kopësht i vërtetë drufrutorësh. Të gjitha pemët rriten dhe të cilësisë më të mirë në këtë rreth. Një rreth me potencial malor të madh turistik. Një rreth që sot ka një nga liqenet më të bukura, liqenin e Banjës. Të gjitha këto potenciale të mëdha nuk i gëzojnë gramshiotët. Nuk shndërrohen në pasuri për familjet dhe qytetarët e Gramshit. Banorët e Gramshit nuk begatojnë familjen e gramshiotëve dhe qytetarët, por vetëm largohen. Nga 50 mijë banorë sot ka 16 mijë”,- tha Berisha.
“Mjekët ikin dhe vetëm ikin. Sot ne kemi zbritur në nivelin e vitit 1960 për mjekë për numër banorësh, kemi 4 herë më pak se Bashkimi Europian. Pra, kanë qenë 12 vite rrëkullisje. Në 2013 pensionisti në Gramsh merrte pak, po merrte më shumë se pensionisti në Maqedoni, Mal të Zi, Rumani dhe Bullgari. Në 2013 rumunët kishin një rrogë minimale 167 euro, kurse shqiptarët kishin një rrogë minimale 220 mijë lekë. Sot rumuni ka një rrogë minimale 800 euro”,-tha Berisha.