Ndonëse jo me pak vështirësi, Kombëtarja shqiptare mori një barazim shumë të rëndësishëm 1-1 në fushën e Maqedonisë, por ishte një ndeshje që la shumë për të dëshiruar në aspektin e lojës.
Minutat e fundit të pjesës së dytë ishin një “ferr” për mbrojtjen tonë dhe vetëm pritjet e Berishës bënë që kuqezinjtë të dalin me një pikë nga fusha. Berisha ishte në kufijtë e heroit, na dhuroi një pikë të artë për vendin e tretë.
NOTAT E NDESHJES:
Berisha 7– Në start nuk është i sigurt, por nga pak rifiton sigurinë në portë. Te penalltia nuk mund të gjykohet. Në disa momente ishte deçiziv me ndërhyrjet e tij, madje në fund shpëtojmë nga pritjet e tij. Për rrjedhën që mori ndeshja dhe rastet që humbën maqedonasit në fund, mund të themi që pikën e morëm falë Berishës. Njeriu i ndeshjes.
Hysaj 6 – Ka siguri në krahun e tij, në disa raste ndihmon edhe qendërmbrojtjen. I saktë dhe i pagabueshëm por nuk ishte nga ato ndeshje siç di ai t’i bëjë më së miri për kombëtaren.
Ajeti 6 – Një mur për qendërmbrojtjen, bllokon shpeshherë sulmuesit maqedonas të afrohen brenda zonës. Në disa raste bashkëpunimi me Mavraj nuk ishte i duhuri, edhe pse luanin pranë njëri-tjetrit dukej sikur ishin aq larg sa donin kohë të kuptonin njëri-tjetrin.
Mavraj 5,5 – Nuk ishte një ndeshje e mirë për të. Në disa raste ishte jo i saktë dhe gabonte topa që për një mbrojtës të kalibrit të tij nuk falen.
Roshi 6,5 – Nuk është “specialiteti” i tij por me një goditje të bukur me kokë na kalon në avantazh. Por më pas fati nuk është me të, një top shkon “gabimisht” në dorën e tij, dhe në mënyrë të pavullnetshme shkakton penalltinë që sjell barazimin. Penalltia sfumon vlerën e golit të tij.
Lila 5,5 – Kërkon të përfitojë hapësira në mesfushë për të shtyrë ekipin përpara por pa sukses. Në aspektin defensiv luan mirë, kurse në atë ofensiv thjesht është për numër në fushë.
Kukeli 5 – Nuk është i përqendruar maksimalisht në lojë, diçka nuk shkonte me të. Mbron dobët, gabon shumë, shumë pasime të pasakta nga të cilat vinin edhe kundërsulmet e maqedonasve. Një ndeshje për t’u harruar për të.
Nga 46’ Basha 5,5 –I jep pak qetësi mesfushës, por edhe pse futet si zëvendësues nuk i jep freski ekipit, madje e ka shumë të vështirë të bëjë presing në mesfushë. Fizikisht i “mbaruar”.
Agolli 6 – Në këmbët e tij ndihet lodhja e ndeshjes me Lihtenshtejnin, edhe pse jep diçka në inkursionet e tij në sulm nga e majta. Lodhja bën të vetën dhe nuk arrin ta mbyllë ndeshjen. Nga 74’ Memolla, pa notë. Dha edhe ai kontributin e tij në këtë ndeshje por jo aq sa për t’u gjykuar.
Llullaku 5– Nuk është përshtatur akoma në kombëtare, nuk arrin të bëjë asgjë për aq kohë sa qëndron në fushë. Aq sa në fundin e pjesës së parë, Panucci e lë në dhomat e zhveshjeve edhe pse janë dy ndeshjet e para të trajnerit italian Llullaku është surpriza e formacionit edhe pse në lojë ishte thjesht një numër.
Nga 46’ Memushaj, 6,5 – I jep tjetër ritëm lojës tonë, me aktivizimin e tij në pjesë e dytë ndryshon ndeshjen. Me të në fushë Shqipëria sulmon gjithmonë në të majtë. Falë inkursioneve të tij në krah, topi shkon për Sadikun dhe krosimi i këtij të fundit për Roshin sollën edhe golin.
Hyka 5 –Nuk shfaqet shumë, edhe shpejtësinë që e karakterizon e ka “humbur” në këtë ndeshje, duket i ngadaltë edhe pse kishte një kundërshtar të dobët përballë. Nuk diti ta shfrytëzonte.
Sadiku 6 – Tek ai presim gjithçka, golin, vetëm sa i shkoi pranë. Nuk ishte në ditën e tij edhe pse vinte nga një gjendje gripale. Në golin e Roshit bën mirë, krosimi ishte perfekt dhe shënon emrin si asistues. Kishte në dorë ndeshjen por e flaku tutje, humbet një rast të pastër që as vet nuk e kuptoi si e humbi.
Panucci 5,5- Shqipërisë i duhej një pikë për të mbajtur të sigurt vendin e tretë, e mori, por loja ishte një nga më të dobëtat e këtij edicioni të dhuruar nga kombëtarja jonë. Në pjesën e parë shfaqet një skuadër e paqartë taktikisht, pa ide, pa grintë dhe dëshirë për të fituar. Trajneri tentoi të korrigjonte formacionin me zëvendësimet e kryera në fillim të pjesës së dytë, por sërish loja mungoi.
Discussion about this post