Gjatë konferencës për mediat, kryetari i PD-së Sali Berisha i ka bërë thirrje BE-së dhe vendeve partnere të Shqipërisë, që të heqin dorë nga mbështetja ndaj kësaj drejtësie të kriminalizuar. Pikërisht për këtë gjë, Berisha ka publikuar edhe shifrat e raportit të World Justice Report, me shifra, se si gjendja e drejtësisë në Shqipëri ka rënë me dhjetëra shkallë krahasuar me vitin 2015, kur ende nuk ishte bërë reforma sorosiane në drejtësi.
Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:
Për të drejtat civile, dhe këtu duhet të ndalem pak, Shqipëria edhe këtu ka një përkeqësim dramatik prej 44 vendesh. Mbante një pozicion në vendin e 55, kurse tani renditet në vendin e 101. Por dramatike dhe dëshmi flagrante e dështimit të reformës së drejtësisë dhe drejtësisë së re janë treguesit që vijojnë.
Për shembull, mosndërhyrja e qeverisë në vendimet civile, Shqipëria para reformës së drejtësisë ishte në vendin e 65. Pas reformës në drejtësi dhe shndërrimit të drejtësisë në një degë ekzekutivi nga reforma e Xhorxh Sorosit, Shqipëria renditet në vendin e 110. Janë një seri vendesh si Nigeria, Kenia, Tunizia, Bangladeshi, të cilat renditen gjer në 25 vende më mirë se Shqipëria, kurse Kosova fqinje renditet 44 vende më mirë se Shqipëria.
Në drejtësinë penale, Shqipëria renditej në vitin 2015, para reformës së drejtësisë, në vendin e 46. Pas shndërrimit të drejtësisë në degë ekzekutivi, Shqipëria renditet në vendin e 92. Ka humbur pra 46 vende. Ky është një tregues dramatik, kjo është ‘pavarësi’ e mercenarëve të drejtësisë Dumani-Kraja apo fytyra e vërtetë e drejtësisë me Irena Gjokat e saj.
Por jo më pak dramatike është ndërhyrja e qeverisë në drejtësinë penale. Në këtë kuadër, Shqipëria para reformës renditej në vendn e 62, kurse pas reformës sorosiane renditet në vendin e 106, duke pasur kështu shumë vende para, Vietnami, Banladeshin, Tunizinë, Kenian, Nigerinë, etj. Kurse Kosova renditet në këtë kontekst në vendin e 46.
Pra, këto tregues dëshmojnë se drejtësia e re është një drejtësi e munguar për qytetarët shqiptarë. Është një degë ekzekutivi për narkoshtetin shqiptar. Ndaj PD i bën thirrje Parlamentit Europian, Komisionit Europian, vendeve partnere të heqin dorë nga çdo mbështetje e kësaj drejtësie të kriminalizuar, të kontrolluar në çdo qelizë të saj nga kreu i narkoshtetit Edi Rama dhe regjimi i tij.
Të angazhojnë Komisionin e Venecias për një rishqyrtim tërësor të këtij sistemi, në mënyrë që shqiptarëve t’u rikthehet e drejta themelore e një procesi ligjor të drejtë dhe drejtësia të nxirret nga kthetrat e politikës dhe të shndërrohet në një sistem të varur nga ligji.