Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ishte sot në një biznes fasonerie në Durrës, nga ku edhe prezantoi programin e PD-së. Berisha tha se “kemi përcaktuar “Made in Albania”, si krenaria kombëtare dhe ne do të bëjmë gjithçka që të mbështesim prodhimin shqiptar”.
Berisha shtoi se PD do të bëjë gjithçka për suksesin e sipërmarrësit shqiptar. “Të lehtësojmë në maksimumin e mundshëm barrën fiskale. Të mbrojmë eksportet. Ju jeni një sipërmarrje eksporti”, tha Berisha.
Berisha nënvizoi se kur të vij në pushtet “qeveria do të kompensojë çdo qindarkë të kursit të euros për të gjithë eksportuesit, gjë e cila i bën ata të punojnë në kushte më të qeta, më të sigurta”.
“Të kesh një rënie të euros në 35 për qind sa ç’është rënia, është pothuajse shkatërrimtare pasi këto janë sipërmarrje që kanë të bëjnë me euron dhe shkëmbimi bëhet me euron”, tha Berisha.
“Në këtë kontekst, një bord i veçantë do të ngrihet për të monitoruar lëkundjet e kursit dhe për të kompensuar për çdo sipërmarrës, gjersa ne me gërshërët e ligjit t’ia presim rrugën dyndjes së kokainës dhe parave të kokainës, për të cilat ekonomia shqiptare nuk ka nevojë”, shtoi Berisha.
Berisha premtoi gjithashtu se “energjia elektrike do të paguhet me 6 lekë”.
“Shqipëria do ketë çmimin më të lirë të energjisë në Europë për biznesin”, tha Berisha.
“Natyrisht sistemi më i ulët i taksave është zotimi ynë. Taksa 10 për qind është taksa më e lashtë. Në Bibël dhe Kuran është taksa 10 për qind, më e drejta. Ne jemi të bindur se ajo është taksa më e drejtë”, nënvizoi Berisha.