Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një deklarate për shtyp, denoncoi kontrabandën e naftës në Shqipëri, duke e quajtur një fenomen të lidhur ngushtë me qeverinë. Ai theksoi se kontrabanda e naftës arrin shifra prej 300-400 mijë tonë naftë në vit, dhe se një aktivitet i tillë nuk mund të ndodhte pa mbështetje nga qeveria, pasi nafta transportohet me anije dhe vetëm qeveria mund të hapë portet.
Berisha akuzoi qeverinë për mbështetje të kontrabandës dhe për pasurimin e grupeve të lidhura me të, duke përmendur gjithashtu abuzimin me resurset kombëtare, ku tha se çdo jaht që arrin në Durrës vjedh 500 mijë litra naftë, dhe qytetarët janë të detyruar të paguajnë çmim të shtrenjtë për naftën e kontrabanduar.
FJALA E BERISHËS:
Këtu para jush kam denoncuar kontrabandën e naftës me shifra, e cila është jo më pak se 300-400 mijë ton në vit.Kam deklaruar se naftë pa pjesëmarrje të qeverisë nuk kontrabandohet dot kurrë. Jo, kurrë. Nuk mundet sepse nuk vjen më nafta me kamionë, nafta vjen me anije. Hyn kur qeveria i hap portin dhe pa diskutim që kompania që e ka bërë, nuk e di cila është, cilado duhet të ndëshkohet për kontrabandën, por që është qeveritar mbrapa saj, të garantoj 100 përqind.
Përndryshe, kemi një fenomen tjetër, çdo sirenë jahti që dëgjon në Durrës, u kushton shqiptarëve 500 mijë litra naftë. Vijnë e marrin me 500 lekë. Bëhen lajme na erdhi filan jaht, shtrohet një drekë ose një darkë për kryeministrin aty, dhe qytetarët paguajnë minimumi 1200 lekë për litër naftë të atij që merr në Shqipëri.
Dhe kjo është një vjedhje që Edi Rama i bën pasuritë kombëtare me miliardera.
Dhe thotë se i bëhet reklamë Shqipërisë. I bëhet reklamë Shqipërisë për korrupsion. Po pse nuk i hap Italia ato, ja ku i ka portet afër nesh. Pse nuk i jep Greqia? Greqia ka qindra porte.
Por del Shqipëria dhe e jep naftën me 500 lekë litri.