Ish-kryeministri Sali Berisha, në një intervistë për “Bota sot” është shprehur se projekti i Ibrahim Rugovës për Kosovën, si dhe lufta e Adem Jasharit dhe veteranëve të tjerë, është tashmë realitet në Kosovën e pavarur.
Pyetjes së gazetares mbi dallimet mes Kosovës së 2008-ës dhe Kosovës së 2018-ës, Berisha I është përgjigjur se sot, 10 vite më pas, kemi një shtet të cilin e kanë njohur 115 vende të botës, pram bi 98% e vendeve të botës; po ndërton infrastrukturë moderne si dhe pavarësisht nga vështirësitë serioze, Kosova ka ekonomi vibrante siç u shpreh Berisha, me rritjen më të lartë në rajon. Ai shtoi se sot 10 vite më pas, Kosova po udhëton e sigurt drejt anëtarësimit të pashmangshëm në BE dhe NATO.
Më tej, në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, Berisha tha se paqja në rajon do të varet më shumë se nga çdo gjë tjetër, prej zbatimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi. Berisha shtoi se përkundër kësaj, Serbia po bën gjithçka që të minojnë marrëveshjen duke synuar ndarjen e Kosovës.
Ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se ndërhyrjet e kryeministrit Rama në raportet Kosovë-Serbi, kanë pasur një ndikim negativ.
“Në kundërshtim flagrant me interesin kombëtar, Rama zgjodhi t’i imponohet Kosovës nga Beogradi. Ai, u takua shumë më shpesh me Kryeministrin Vuçiq se sa me Kryeministrin e Kosovës dhe me deklaratat e tij paternaliste, ai cenoi fuqinë përfaqësuese të autoriteteve të Kosovës dhe ushqeu dogmën serbe të shqiptarëve të këqij dhe shqiptarëve të mirë, shqiptarë të Tiranës me të cilët merresh vesh dhe shqiptarë të Prishtinës me të cilët nuk merresh vesh.” – tha ish-kryeministri.
Berisha risolli në kujtesë përpjekjen e politikës së Beogradit për të vendosur marrëdhënie dialogu me Shqipërinë për Kosovën dhe refuzimin e tij, atëherë kryeministër, për ta shmangur.
“Qëndrimi im ka qenë i prerë: asnjë dialog Shqipëri – Serbi për Kosovën. Kjo e fundit ka përfaqësuesit e saj dhe, përveç kësaj, Shqipëria në çdo rast nuk mund të ketë anë tjetër përveç Kosovës.” – tha Berisha
“Rama ndjek rrugën e Enver Hoxhës e cila është rrugë tradhtie e mirëfilltë. Beogradin e njeh shumë më mirë Prishtina se sa Tirana. Në rast se e analizojmë marrëdhëniet Kosovë – Beograd, këto 4 katër vitet e fundit ato kanë ecur shumë ngadalë. Kjo sigurisht, për shkak të Beogradit, por edhe Rama ka aksionet e tij në këtë ngadalësim të ndjeshëm të këtyre marrëdhënieve.” – vijoi Sali Berisha.
Në lidhje me çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi, ish-kryeministri u shpreh se e mbështet atë marrëveshje bazuar mbi deklaratën e Departamentit të Shtetit, në të cilën qeveria amerikane shprehet se ndarja e kufirit është korrekte.
Sa u përket marrëdhënieve mes Kosovës e Shqipërisë, sërish, Sali Berisha bën përgjegjës Edi Ramën për shterpësinë e tyre.
“Rama në fjalimin e tij përçarës në parlament, qëndrimin ndaj arkitektit të Pavarësisë së Kosovës, Presidentit Rugova, detyroi deputetët e LDK të braktisin sallën e Parlamentit. Më pas, ai, përsëriti një qëndrim të hapur paternalist, të dëmshëm ndaj Kosovës.” – tha Berisha.
Ish-kryeministri ishte i mendimit se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk kanë nevojë për fotografi e fasada por për investime të mëdha e serioze, për njësime ligjesh, normash, standardesh si dhe për dyshtetësinë, në mënyrë që sipas Berishës, qytetarët të ndihen njëlloj në të dy vendet.
“Unë mendoj se, çështja kryesore që duhet të zgjidhet në mes të dy qeverive është njohja mbi bazën e një marrëveshjeje ndërshtetërore të dyshtetësisë për të gjithë qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës, që dëshirojnë të kenë dyshtetësi ose të mbajnë shtetësinë që duan. Kjo, do ndihmonte edhe më shumë konsolidimin e një tregu unik.” – tha Berisha.
Në lidhje me përpjekjet e klasës politike në Kosovë për të shfuqizuar Gjykatën Speciale, Berisha u shpreh se vlerëson faktin u hoq dorë prej asaj përpjekjeje. Sipas Berishës, një veprim i tillë do të zhbënte marrëdhëniet e Kosovës me aleatin kryesor SHBA-të.
“Mendoj se qeveritë në Kosovë dhe në Shqipëri duhet të kenë si gurë prove luajalitetin e tyre ndaj SHBA, vendi që ka luajtur rol përcaktues në parandalimin e zhdukjes së Shqipërisë nga harta nga fuqitë e tjera të mëdha në vitet 1920 vendi që udhëhoqi në vitin 1999 Aleancën e Atlantikut të Veriut në betejën e saj ajrore më të madhe pas Luftës së Dytë Botërore për çlirimin e Kosovës, vendi që luajti rol përcaktues në pavarësinë e Kosovës.” – tha ish-kryeministri Berisha në përfundim të intervistës.
(E.L/Faxweb.al)
Discussion about this post