Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj komentuesve, duke theksuar se, nën udhëheqjen e Edi Ramës, integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është gjithnjë e më i larguar. Ai e cilësoi deklaratën e Ramës si “qesharake” dhe një mashtrim që nuk do të gjejë mbështetje nga shqiptarët.
Berisha theksoi se një nga shtyllat kryesore të programit të Partisë Demokratike është integrimi i plotë i Shqipërisë në BE, dhe ai theksoi se ky proces ka ecur pandalshëm gjatë periudhës kur PD ka qenë në pushtet. Ai përmendi avancimet si Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, dorëzimin e pyetësorit, liberalizimin e vizave dhe statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, duke theksuar se këto janë arritur përmes një procesi të bazuar në meritë dhe përmbushjen e standardeve të kërkuara nga Bashkimi Europian.
Berisha kritikoi ashpër Edi Ramën për përfshirjen e tij në skandale korruptive dhe lidhjet me krimin transnacional, duke theksuar se me një qeverisje të tillë, Shqipëria nuk do të mund të plotësojë asnjë kriter të Bashkimit Europian. Sipas tij, me rrogat dhe pensionet aktuale, Shqipëria nuk ka asnjë mundësi për t’u pranuar në BE. Ai shtoi se me një qeveri të tillë, integrimi në BE do të mbetet një horizont që largohet me shpejtësi.
Berisha garantoi se Partia Demokratike do të vijojë me përpjekjet për të çuar përpara procesin e integrimit të Shqipërisë, duke u bazuar në meritë dhe përmbushjen e kritereve të BE-së. Ai shprehu besimin se, nën udhëheqjen e PD-së, Shqipëria do të arrijë të realizojë integrimin në Bashkimin Europian në kohën më të shkurtër të mundshme.
Pjesë nga fjala e kreut të PD Sali Berisha:
Kjo deklaratë qesharake e tij tingellon me atë që thotë: e treta e vërteta, por e treta doli e pavërtetë. Tani e treta mqs doli e pavërtetë, do dalë e katërta.
E katërta do të jetë e vërtetë, aq sa doli e treta. Ndaj dhe unë kam besim se shqiptarët nuk e besojnë këtë mashtrim të tij.
Ju më pyesni mua dhe e dini qartë se, një nga shtyllat më themelore të programit tonë është integrimi në BE, por mund të pyesni: pse ky proces gjatë periudhës që ne ishim në pushtet eci pandalshëm. Nuk po them vrapoi, por eci pandalshëm?
Nga firmosja e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit tek dorëzimi i pyetësorit, tek liberalizimi i vizave dhe së fundmi, rekomandimi nga komisioni europian të statusit të vendit kandidat. Pse kjo? Pse Shqipëria arriti të marër ftesën për anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe arriti të firmosë aleancën e Atlantikut të Veriut?
Vetëm e vetëm, që të dyja, sepse parimi ynë ishte ky: gjithçka duhet të jetë e bazuar në meritë dhe asgjë tjetër jashtë meritës, çka kërkonte që qeveria shqiptare të plotësonte standarde dhe kritere, të cilat ishin interesi më i mirë i qytetarëve të vet, kërkonin që Shqipëria të kishte zero tolerancë ndaj krimit. Kërkonin që Shqipëria të luftonte me forcë të madhe korrupsionin. Kërkonte që Shqipëria të respektonte të drejtat e qytetarëve shqiptarë, liritë e tyre. Kërkonte që Shqipëria të respektonte opozitën.
Kujtoni, ku jemi me Edi Ramën?
Edi Rama e bazon biznesin dhe korrupsionin transnacional, dhe nuk plotëson asnjë kriter tjetër, ëprveç kriterit gjeostrategjik, që është një kriter i rëndësishëm, por ky është një kriter natyror.
Pozicioni gjeografik i Shqipërisë nuk ka asnjë lidhje me Edi Ramën. Është shekullor, mijëravjeçar.
Edi Rama nuk zotohet dot, mashtron se do të plotësojë një kriter të vetëm.
Unë ju them ju, se me këto rroga dhe pensione nuk t ëpranon kush anëtare të BE, mos të ketë asnjë iluzion. Unë ju garantoj ju, se me këtë farsë elektorale nuk pranohet Shqipëria në BE.
Unë ju garantoj ju, se me këto lidhje të tmerrshme të qeverisë me krimin, për Shqipërinë me Edi Ramën, anëtarësimi në BE do të jetë një horizont që largohet me shpejtësi.
Pra, në rast se bëhet fjalë për integrimin e plotë, për anëtarësimin e Shqipërisë në BE ka vetëm vetëm nëj rrugë, dhe kjo është rruga e bazuar në parimin në meritë, një proces i bazuar në meritën, në performancën, në arritjen e kritereve.
Kështu që, këtë proces do e kompletojë PD në kohën më të parë të mundshme.