Në një deklaratë publike të mbajtur në zonën e Astirit, u bënë publike një sërë premtimesh të fuqishme për të ndryshuar rrënjësisht klimën ekonomike dhe sociale në Shqipëri.
Bizneseve iu premtoi një taksë e sheshtë prej 10%, ulje e TVSh-së në 15%, energji elektrike më e lirë dhe reduktim i ndjeshëm i tarifave të ujit dhe hapësirave publike.
Ndërkohë, për të rinjtë dhe studentët, u lajmërua heqja e mesatares për universitetet, ulje drastike e tarifave, bursa mujore dhe mbështetje konkrete për punësim apo hapje biznesesh.
Çiftet e reja dhe familjet me tre fëmijë do përfitojnë nga grante dhe lehtësira të konsiderueshme për strehim. Premtime që synojnë të përmirësojnë klimën e biznesit, mirëqenien sociale dhe të frenojnë emigrimin e të rinjve.
Fjala e Kryedemokratit Sali Berisha:
Bizneseve të Astirit dhe mbarë Shqipërisë u premtoj vendosjen e taksës së sheshtë 10 përqind nga 23 përqind që është.
Uljen e TVSh-së në 15 përqind.
Uljen e çmimit të energjisë elektrike në 6 lekë.
Përgjysmimin e tarifës së ujit.
Ndalimin me ligjin të bashkive, të cilat nuk do mund të vendosin kurrë më shumë se 1 përqind të xhiros taksa lokale për bizneset.
Garantoj bizneset e vogla se përveç energjisë dhe ujit, hapësira publike që u shitet me 1500 lekë do zbresë në 120 lekë.
Se tavanet për tatim fitimin dhe TVSH-në do rriten nga 100 mijë dhe 140 mijë që janë sot, në 180 mijë euro.
Biznesi pra do ketë klimën më miqësore, do mund të shtojë investimet dhe punësimin.
Astiri madhështor, Tirana madhështore është Tirana dhe Astiri i qytetarëve që kanë besim tek e ardhmja e tyre.
I qytetarëve që përballojnë me dinjitet jetën.
I qytetarëve që u rritet çdo vit mirëqenia.
I qytetarëve që u shkollohen dhe u punësohen fëmijët e tyre në Shqipëri.
U jap fjalën këtyre të rinjve se mesatarja për universitet do hiqet që vitin që vjen. Në shtator nuk do ketë mesatare.
Se tarifat do të jenë 4 herë më të ulëta.
Se bursa do jetë 200 euro.
Se pas mbarimit të shkollës, çdo sipërmarrës që punëson të rinjtë do t’i paguhet një vit sigurimet e tij shoqërore dhe të gjitha shpenzimet për kualifikimet e tyre.
Të rinjtë që dëshirojnë të hapin biznese do përfitojnë grante, kredi të buta dhe për çdo çift të ri një çati.
Qeveria do garantojë grante 30 mijë euro me të cilat çiftet e reja do paguajnë interesin e kredisë.
Çiftet që bëhen me tre fëmijë nuk do paguajnë asnjë qindarkë kredi, do ua paguajë shteti.