Porta e Kombëtares shqiptare do të ndiejë një mungesë të madhe në ndeshjen me Italinë. Etrit Berisha do të mungojë së bashku me Mërgim Mavrajn dhe Berat Gjimshitin.
Portieri i Kombëtares u pezullua me dy ndeshje pas kartonit të kuq të marrë në takimin me Izraelin nëntorin e shkuar, ndaj nuk do mund të jetë në dispozicion të kuqezinjve as për duelin e kthimit kundër izraelitëve.
Megjithatë, edhe sikur të mos e kishte pezullimin, “gardiani” vështirë se mund të ishte në portë përballë “axurrëve”. Shkak është një dëmtim i pësuar së fundi me Atalantën, që e la pa luajtur në ndeshjen e fundjavës së shkuar ndaj Peskarës së Ledian Memushajt.
28-vjeçari nga Prishtina vazhdon të jetë me probleme, pasi edhe në seancën e paradites së sotme u stërvit veçmas pjesës tjetër të grupit.
Gjithsesi, pozitiv është fakti që Thomas Strakosha, i cili pritet ta zëvendësojë Etritin përballë italianëve, gjithashtu po kalon një formë të mirë me Lacion. (E.K/SHUPLAKA)