Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka theksuar angazhimin e tij për përmirësimin e arsimit dhe përmirësimin e kushteve të mësuesve në Shqipëri. Gjatë një deklarate, Berisha ka premtuar dyfishimin e rrogave për mësuesit, duke e vendosur ata në piedestalin që ai konsideron se e meritojnë. Ai ka folur për modernizimin e sistemit shkollor, duke përfshirë dixhitalizimin e plotë dhe përmirësimin e infrastrukturës shkollore, për të eliminuar shkollat me turne dhe klasat me 40 nxënës.
Berisha ka përmendur gjithashtu rënien e cilësisë së arsimit gjatë periudhës 2015-2023, duke e krahasuar atë me rritjen vertikale që ka pasur arsimi shqiptar gjatë viteve 2006-2013. Ai ka paralajmëruar se kjo situatë do të ndryshojë shpejt, duke e vënë theksin te roli i mësuesve në përmirësimin e arsimit.
Në fjalën e tij, Berisha ka premtuar gjithashtu mbështetje të veçantë për të rinjtë, duke ofruar stimuj fiskal dhe kredi të buta për të rinjtë që duan të fillojnë një biznes, si dhe për çifte të reja që duan të fillojnë një jetë të re.
Pjesë nga fjala e kreut të PD Sali Berisha:
Së pari, arsimtari.
Ne do vendosim arsimtarin në piedestalin që ai meriton në mënyrë që ai të përmbushë misionin e tij.
Arsimtari është misionar, në këtë kontekst ne do shkojmë drejt dyfishimit të rrogave të mësuesit.
Drejt modernizimit të sistemit shkollor me teknologjitë më të larta.
Dixhitalizimit të plotë të tij.
Drejt standardeve që bëjnë që mësuesit të kenë nivelin përkatës arsimor dhe ata që janë larguar për arsye politike apo arsye të tjera, të rikthehen.
Drejt modernizimit të plotë të infrastrukturës shkollore.
Zonjë, ju mund t’i referoheni fakteve. Në vitet 2006-2013, në testin e PISA-s, cilësia në arsimin shqiptar pati rritje vertikale.
Në vitet 2015-2023, në testin e PISA-s, cilësia e arsimit pati rënie katastrofale, rënien më të madhe në botë.
Kjo gjendje do ndryshojë me shpejtësi, por gjykoj se para së gjithash do fillojë nga mësuesi.
Natyrisht infrastruktura do bëjë që të mos ketë më shkolla me turne. Të mos ketë klasa me 40 nxënës dhe shumë ndërhyrje të tjera.
Sa u përket punësimit të të rinjve, do ketë incentiva dhe stimuj fiskal për çdo të ri të punësuar.
Do ketë grante dhe kredi të buta për çdo biznes të tyre.
Do ketë kredi të buta për çdo çift të ri për të filluar jetën e tyre.
Pra, do ketë një përkrahje direkte të veçante për të rinjtë.
Discussion about this post