Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një takim në Itali me liderë të lartë të Forza Italia, përfshirë kryetarin e Grupit Parlamentar, Paolo Barelli, presidentin e Senatorëve, Maurizio Gasparri, si dhe deputetët Alessandro Battilocchio dhe Erica Mazzetti.
Në një postim në Facebook, Berisha ndau detaje nga diskutimet me politikanët italianë, duke theksuar se takimi ishte miqësor dhe produktiv. Ai nënvizoi se ata diskutuan për bashkëpunimin e ngushtë dhe shumëvjeçar mes Partisë Demokratike dhe Forza Italia, si dhe për mundësitë për të zhvilluar më tej këtë marrëdhënie. Sipas Berishës, fokus i bisedimeve ishte forcimi i lidhjeve politike mes Shqipërisë dhe Italisë, duke theksuar rëndësinë e kësaj aleance për të dyja vendet.
Gjithashtu, Berisha tha se i informuam miqtë për zhvillimet më të fundit në Shqipëri.
“Miqtë na siguruan për mbështetjen e tyre të plotë ndaj Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare”, shkruan Berisha në Facebook.
Postimi i plotë
Takim i përzemërt me Kryetarin e Grupit Parlamentar të Forza Italia, Paolo Barelli, Presidentin e Senatorëve, Maurizio Gasparri, si dhe deputetët e kësaj partie, Alessandro Battilocchio dhe Erica Mazzetti.
Gjatë këtij takimi diskutuam gjerësisht për bashkëpunimin e ngushtë dhe miqësor shumëvjeçar midis dy forcave tona politike dhe dy vendeve tona, si dhe për zhvillimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.
Gjithashtu, i informuam miqtë tanë për zhvillimet më të fundit në Shqipëri. Miqtë na siguruan për mbështetjen e tyre të plotë ndaj Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare.
Takimi ishte i hapur dhe miqësor!