Kreu i PD, Sali Berisha ndodhet ne Pogradec aty ku ka ngritur zërin për shpëtimin e Pogradecit, si pasuri e njerëzimit.
Berisha:
Mirëdita!
Së pari, ju përshëndes të gjithëve ju të pranishëm në këtë tryezë, më e veçanta e mbledhur në historinë e këtij qyteti, ndoshta.
Përshëndes të gjithë qytetarët e Pogradecit, në Pogradec dhe kudo që ndodhen.
Them më e veçanta dhe e tillë është, sepse ne jemi këtu për të ngritur zërin për shpëtimin e Pogradecit.
Pogradeci ndodhet para një agresioni të identitetit të tij. Në kuptimin më të vërtetë të kësaj fjale. Këta banorë nga Lini në Tushemisht, në breza dhe gjenerata, me punën, mundin, investimet e tyre, i janë përshtatur liqenit dhe kanë krijuar një harmoni. Kanë krijuar një harmoni, të themi natyrore, njerëzore.
Dhe ky zhvillim i harmonishëm ka sjell Pogradecin në majat e trashëgimisë së njerëzimit, ka bërë që liqeni dhe brigjet të jenë një pasuri e njerëzimit. Nuk ka titull më të lartë. Ky është titulli më suprem. Kjo është dekorata më e lartë që qytetarët e një qyteti dhe mjedisi i tyre që mund të marrin. Ky është titulli më atraktiv që ky qytet i bekuar mund të tërheqë nga e gjithë bota.
Ohri është i famshëm për bukurinë, faunën dhe të gjitha. Por ama vendosja e tij nën mbrojtjen e UNESCO-s si trashëgimi e madhe e njerëzimit përbën një ftesë për qytetarë nga mbarë bota për tu njohur, për ta vizituar, për të kaluar një kohë.
Nuk është e rastit. Pogradecarët nga gjithë banorët e tjerë të brigjeve dhe zonave turistike, kanë qenë shërbëtorët më të mirë të trashëgimisë së tyre. Këta qytetarë kanë meritën e madhe të mikpritjes, të shndërrimit të këtij qyteti në një trevë turistike, mikpritëse edhe në kohën kur nuk kishte hotele dhe lehtësira të tjera, përveç shtëpive të tyre.
Por me të gjitha këto, këta bënë që qyteti i tyre të vlerësohet nga UNESCO bashkë me liqenin dhe ti jepet nderimi më i lartë.