Në një ceremoni solemne të zhvilluar në qytetin e Kavajës, u përurua sot shtatorja e Josif Budos, të riut që u bë simboli i parë i flijimit për demokracinë në Shqipëri. Në aktivitetin e zhvilluar me këtë rast morën pjesë ish-kryeministri dhe lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përfaqësues të pushtetit lokal, familjarë të heroit, qytetarë të shumtë dhe të ftuar nga bota diplomatike.
Gjatë fjalës së tij, Berisha vlerësoi sakrificën sublime të Josif Budos, duke e cilësuar atë si “frymëzim dhe dritë për mbarë shqiptarët” dhe një moment që shënoi kthesën historike për çlirimin e Kavajës dhe Shqipërisë nga diktatura.
“Me 10 korrik 1990, ndërsa regjimi përpiqej të shuarte frymën e lirë të shqiptarëve, Kavaja i tregoi se liria nuk ndalet. Me qëndresën e saj, me gjakun e Josif Budos dhe trimërinë e qytetarëve, Kavaja u bë simbol i rezistencës antikomuniste,” – u shpreh Berisha.
Në fjalën e tij, ai përshëndeti veçanërisht familjarët e Josif Budos, ambasadorin gjerman Werner Daum, dhe kryetarin e Bashkisë Kavajë, Fisnik Qosja, si dhe theksoi rëndësinë që kjo figurë historike të nderohet përherë si hero i parë i demokracisë shqiptare.
Josif Budo humbi jetën në moshë të re më 10 korrik 1990, gjatë përplasjes me forcat e regjimit komunist, në një nga momentet më delikate të tranzicionit shqiptar drejt demokracisë.